Roubin: Krizat nuk mbarojnë këtu
Profesor Roubini, ju keni një rol interesant në pjesën e dytë të filmit “Wall Street”. Cilin rol luani?
Luaj vetveten. Por bëhet fjalë për një rol të vogël. Ka një skenë që ka të bëjë me momentin menjëherë pas kolapsit të bankës
“Lehman Brothers”, kur një gazetare më merr në intervistë për fatin e krizës.
Me sa dimë keni qenë edhe konsulent i regjisorit të filmit Oliver Stone?
Nuk kam qenë një konsulent formal. Thjesht kam dhënë ndihmën time përmes disa këshillave. Jemi takuar me Stone disa herë dhe ai më ka bërë pyetje në lidhje me krizën financiare. Dëshira e tij para se të fillonte xhirimet e filmit ka qenë që të takohej me disa drejtues të fondeve private financiare dhe krejt rastësisht pranova që të luaj një rol të vogël, atë të Zotit Katastrofa.
Këtë nofkë e keni marrë, sepse keni qenë ndër të vetmit që keni bërë parashikime për krizën financiare të vitit 2008 në një kohë kur të gjithë ekonomistët e botës kanë qenë shumë optimistë për ekonominë amerikane. Atëherë keni qenë shumë pesimist. Po tani a vazhdoni të jeni sërish pesimist për të ardhmen e ekonomisë botërore?
Së pari dua të them se nuk jam aq pesimist sa më paraqisni. Nuk është aspak e vërtetë që jam vazhdimisht i errët dhe negativ, por më pëlqen të jap vlerësime të drejta për situatat. Nëse do të më kërkohej një opinion në lidhje me të ardhmen e botës tani, do të thosha që sipas meje ajo është ende plot me re të errëta.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, aktiviteti ekonomik është duke e rimarrë veten me parashikime për këtë vit, që flasin për një rritje në masën 4%.
Unë personalisht jam një realist. Për sa më takon shoh vetëm disa pika të shndritshme në vende të tilla si: Kina, India, apo Brazili. Po për sa i përket pjesës tjetër? Rimëkëmbja ekonomike e Shteteve të Bashkuara ka qenë shumë anemike. Japonia duket gjithashtu në gjendje kome dhe Europa është në mesin e një krize shumë të madhe. Kontinenti mund të ribjerë shumë shpejt në recesion. Edhe para tronditjes së madhe në Greqi, situata ishte shumë e vështirë, por për momentin dhe për njëfarë kohe rritja ekonomike është pranë zeros.
çfarë mendoni në lidhje me rreziqet që paraqet rasti i Greqisë?
Sot tregjet janë të shqetësuara në lidhje me Greqinë, por ajo është vetëm maja e ajsbergut. Bëhet fjalë për një krizë të madhe të deficiteve buxhetore në vende të ndryshme, madje jo vetëm të Europës. Por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Japoni. Ndoshta jo këtë vit, por shumë shpejt edhe ato vende do të përballen me një krizë të tillë. Në Shtetet e Bashkuara, shtete të tilla si Kalifornia, Nevada, Arizona, Nju Jorku, apo Florida kanë probleme shumë të mëdha fiskale. Deficitet buxhetore në rritje dhe borxhet e mëdha të qeverive janë me të vërtetë shumë shqetësuese.
A ishte i duhur vendimi i paketës së ndihmës financiare prej 110 miliardë eurosh i FMN-së dhe BE-së për të ndihmuar Greqinë?
është vetëm fillimi. Kam frikë se Greqia nuk ka problem likuiditeti, por mosfunksionimi. Dhe t’i japësh para një shteti
që nuk funksionon, ndërkohë që e detyron të bëjë shkurtime buxhetore të dhimbshme, nuk është zgjidhja. Edhe nëse taksat do të rriten dhe do të shkurtohen shpenzimet, Greqia nuk do të bëhet detyrueshmërisht më konkurruese. Në të kundërt, prodhimi mund të bjerë, papunësia ka shanse që të rritet. Në këtë moment duhet të hyjë në lojë plani B.
Që do të thotë?
është thelbësore të fillohet me një ristrukturim paraprak të borxhit. Duhen gjetur zgjidhjet e duhura për kreditorët dhe borxhlinjtë. Duhen gjetur edhe zgjidhje fiskale për vende të tjera të eurozonës si Portugalia dhe Spanja.
A mendoni se refuzimi i Kancelares gjermane Merkel për të refuzuar menjëherë ndihmën e përkeqësoi situatën?
BE-ja ka humbur disa muaj të çmuar në hartimin e një pakete mbështetëse për Greqinë, pjesërisht për shkak të refuzimit të klasës politike gjermane për këtë masë. Politika gjermane dhe rritja e skepticizmit për bashkimin monetar europian ka çuar në një kundërpërgjigje të vonuar.
Sipas jush, a është një gabim bashkimi monetar?
Nuk do të shkoja kaq larg në konstatime, por do të thosha se ndoshta në këtë zonë nuk duhet që të kishin marrë pjesë menjëherë shumë vende. Ky bashkim do të kishte qenë shumë më i suksesshëm nëse fillimisht do të kishte pasur si anëtarë vende me një regjim financiar dhe fiskal të rregullt. Fakti është se aktualisht ka vende problematike që po shkaktojnë shumë probleme.
Sot kemi një krizë borxhesh. Një vit më parë, ishte kriza e kredive dhe para saj kriza e pasurive të patundshme. A mos vallë duhet që të fillojmë të mësohemi nga goditjet e krizave të njëpasnjëshme?
Kam frikë se po. Në librin tim të ri tregoj se krizat janë pjesë e ADN-së së kapitalizmit. Ato nuk janë një përjashtim, por vetë rregulli. Shumë elemente vitale në kapitalizëm si novacionet dhe rrezikmarrja, shkaktojnë shpesh kolapse dhe kriza. Ajo që kemi kaluar deri tani mund të përkeqësohet në të ardhmen.
Ju flisni sikur krizat të ishin të pashmangshme?
Ato nuk janë të pashmangshme, por nëse do të shikoni në histori do të vini re modele që përsëriten. Dhe këto modele do t’i shohim sërish. Ka shumë mundësi që të kemi kriza edhe më të mëdha në të ardhmen.
A ka ndonjë recetë për krizat?
Jo. Krizat nuk janë identike me njëra-tjetrën, por sigurisht mjaft prej tyre janë të ngjashme. Para tyre ka gjithmonë një situatë bumi dhe “flluske”. Njerëzit vënë re se vlera e disa aseteve të caktuara, për shembull çmimi i pasurive të patundshme shkon shumë lart dhe më pas ata i përdorin këto asete si kolateral për të marrë hua në shuma të mëdha dhe të papërballueshme dhe në këtë mënyrë nis edhe spiralja e krizës. Ky është momenti i “plasjes së flluskës”. Menjëherë pas këtij nis ulja e vlerës së aseteve dhe njerëzit e gjejnë veten të zhytur në një borxh, të cilin nuk mund ta paguajnë.
Po si mund të njihet një “flluskë”?
është e vështirë. Unë jam shumë dyshues kur njerëzit thonë se “këtë herë është ndryshe dhe se këtë herë situata pozitive e begatisë do të zgjasë shumë”. Një gjë e tillë në fakt nuk ka ndodhur asnjëherë.
Aktualisht shumë para po përdoren për mallra të tilla si nafta dhe bakri. A mos vallë kjo do të jetë “flluska” e ardhshme?
Ka mundësi. është një nga shqetësimet më të mëdha që parandiej. Ne vendosëm që të shpëtojmë ekonominë botërore, duke e “përmbytur” botën me një sasi jashtëzakonisht të madhe likuiditetesh. Tani rrezikojmë që të bëjmë të njëjtin gabim si ai që bëmë gjatë ciklit të fundit.
Sipas jush, cila do të kishte qenë alternativa ndaj programeve të stimujve me likuiditete dhe ndërhyrjes së bankave qendrore? Nëse do të ishte lënë situata në dorën e tregut bota mund të ishte zhytur në depresion.
Kjo është e vërtetë, por ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos vazhdojmë në këtë rrugë për një kohë shumë të gjatë. Ndryshe do të rrezikonim që të krijonim banka-fantazmë dhe kompani që mbahen në jetë në mënyrë artificiale. A e shihni se çfarë po ndodh me industrinë bankare? Kriza nisi me thënien “bankat nuk do të falimentojnë, sepse janë shumë të mëdha dhe të fuqishme”, por kundërpërgjigjja ndaj krizës ishte blerja e bankave të mëdha të falimentuara nga institucione të tjera financiare, që në fakt krijuan institucione edhe më të mëdha. Pikërisht këto institucione, nëse bëjnë diçka të rrezikshme, do të kenë nevojë për paketa financiare shpëtimi, që do të thotë se kjo lojë do të përsëritet pa fund.
A duhet që të pranohet dështimi i institucioneve që janë “shumë të mëdha për të falimentuar”?
Përse jo? Shqetësimi im është se mos qëndrimi zyrtar ndaj institucioneve të mëdha e me shumë probleme vazhdon të jetë ai i shpëtimit të tyre, në vend që të ishte ai i falimentimit.
Sipas jush, çfarë parametrash duhet që të ketë një institucion financiar të konsiderohet “tepër i madh për të falimentuar”?
Nëse do të mendoja për parametrat që përcaktojnë një institucion si shumë të rëndësishëm, sigurisht që do të kisha parasysh përmasat e aseteve, likuiditetin dhe pozicionin që ka institucioni përkatës në Prodhimin Kombëtar Bruto të vendit. Në fund të fundit nuk mendoj se është një gjë e vështirë të përcaktosh se cilat janë me të vërtetë institucionet e rëndësishme.
Presidenti amerikan, Obama, ka paraqitur një plan për një reformë të sistemit financiar, në të cilën përfshihen ligje që kufizojnë përmasat e bankave. A mos vallë do të duhej një rregullore shumë më drastike?
është një fillim i mirë, por unë mendoj për një drejtim edhe më radikal. Modeli i supermarketit financiar sigurisht që nuk ka funksionuar. Një institucion që vendos gjithçka në një vend, pra bankën tregtare, bankën e investimeve, fondet e financimeve, sigurimet dhe shumë shërbime të tjera financiare bëhet një institucion mjaft kompleks për t’u menaxhuar. Asnjë shef ekzekutiv nuk do të kishte mundësinë për t’i ndjekur të gjithë këta sektorë. Ndaj ky institucion shumë kompleks do të kishte nevojën që të ndahej në pjesët e tij përbërëse.
Thuajse 100 vjet më parë, qeveria amerikane ndau “Standard Oil” dhe nga copëzat e tij u krijuan institucione që u bënë më të mëdha dhe më të fuqishme se origjinali...
Ajo çka unë propozoj ka të bëjë me kufizime dhe ndarje mes bankave të investimeve dhe atyre tregtare. Janë rregullore që kanë qenë në funksionim deri 10 vjet më parë. Në atë kohë funksionuan mirë.
Cilat janë reformat financiare që ju i konsideroni si të domosdoshme në këto rrethana?
Tregjet e derivativave duhet që të bëhen më transparente. Institucionet financiare duhet që të ndryshojnë sistemin e tyre të kompensimit.
Propozimet tuaja kanë të bëjnë me krizën aktuale. Po a do të ishin ato të vlefshme edhe për të parandaluar krizat e tjera?
është e pamundur që t’i zhdukim tërësisht krizat, por nëse do të punonim për t’i bërë ato më pak të dhunshme e më shumë të parashikueshme, do të ishte me të vërtetë një sukses.