Infermierët e Shkodrës dalin në protestë kundër ministrisë
Infermierët e spitalit rajonal të Shkodrës kanë zhvilluar dje paradite një protestë paqësore jashtë godinës së spitalit. Reagimi i infermierëve ka të bëjë me një urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë që i detyron ata të diplomohen, pavarësisht se kanë kryer kurse e shkolla të infermierisë më parë. Protesta është drejtuar nga sindikata e pavarur, që ka shprehur mbështetjen për infermierët. Në një prononcim për mediat, kreu i sindikatës së pavarur Shkodër, Albert Tukaj, tha se “është absurde që një infermieri i cili ka mbaruar kursin e infermierisë kur kjo shkollë infermierie ka ekzistuar, t’i kërkohet serish shkolla e infermierisë. Për më tepër, këtu ka infermierë që duan dhe dy vjet të dalin në pension dhe atyre u kërkohet të hyjnë në shkollë dyvjeçare. Kjo është qesharake, sepse infermierët kanë kryer kursin dhe kanë mbi 25 vjet pune. Të paktën kërkojmë që infermierët që kanë mbi 20 vjet punë të mos detyrohen të hyjnë në shkollë, ndërsa për pjesën tjetër të infermierëve të shikohen mundësi që të hyjnë në universitete shtetërore me një tarifë të reduktuar dhe të kenë mundësi të ndjekin studimin në fundjavë, pa cenuar punën”. Ndërkohë, infermierët thanë se protesta do të përshkallëzohet nëse nuk merren parasysh kërkesat.
#