E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkurrenca turistike nuk prek klimën miqësore

Sarandë-Korfuz

Hapja e sezonit të ri turistik të Sarandës, nuk ka kaluar pa jehonë edhe në ishullin përballë, në Korfuz. Kryetari i kësaj bashkie, Sotiris Mihalev, në pamundësi për të qenë vetë i pranishëm në ceremoninë e organizuar, ditë më parë i ka kërkuar ndjesë homologut të vet në Sarandë, Edmond Gjoka, përmes një mesazhi ku uron për verë të mbarë e turizëm të suksesshëm. Ndërsa dy ditë më vonë gazeta më e madhe lokale e këtij qyteti, “Enimerosi”, (Informim), i bën një përcjellje vlerësuese dhe krahasuese me vite më parë vendit që zë Saranda në tregun e sotëm turistik në Shqipëri dhe rajon. Në faqen e saj në internet të kësaj gazete, kjo atmosferë dhe jehonë e miqve nga Korfuzi në qytetin binjak me Sarandën në lëvizjen turistike, përcillet edhe me pamje filmike, që mbajnë logon “Enimerosi”. Pamje që janë pjesë e ofertës turistike të Sarandës, shoqërojnë intervistën ekskluzive të botuesit të saj, Jorgos Kacaitis, gazetar dhe kryetar i rrjetit ballkanik të gazetarëve, ku përfshihen edhe gazetarë nga Shqipëria. Këto pamje kanë shoqëruar gjithë publicitetin që kjo gazetë i ka bërë çeljes së sezonit turistik më 8 maj në Sarandë.

Pasi nënvizon rregullsinë e vendosur që në qytetin e Sarandës hapet çdo vit sezoni turistik në javën e parë të majit, gazetari dhe botuesi i kësaj gazete, Jorgo Kacaitis shprehet se “është kaq e rëndësishme që në këtë çelje sezoni zbret në shkallët e detit Jon qeveria shqiptare, shpesh edhe me praninë e Kryeministrit Sali Berisha”. Gazeta greke nënvizon se “Me çeljen e sezonit turistik, me rritjen çdo vit e më tepër të numrit të vizitorëve edhe ekonomia e këtij qytetit zhvillohet edhe më shumë”. Ajo sjell në kujtesën e lexuesit të vet faktin që “Në fillim të viteve ’90 ndërtesa më e lartë në qytetin e Sarandës ishte hotel “Butrinti” dhe se Saranda ishte një qytet, në të cilin vinin për pushime verore oficerë të lartë dhe anëtarë të qeverisë”. Këtë realitet të kohës së diktaturës ai e vë përballë me atë që është sot, duke shkruar se “Sot, 20 vjet më pas, qyteti i Sarandës pret rreth 400 mijë turistë, sipas kryebashkiakut Gjoka”.

Nuk anashkalohet edhe faktori i krizës greke dhe i ndikimit të saj në Shqipëri, ndërkohë që paralajmërohet se hotelet në Sarandë nuk do të mbushen. Lidhur me këtë, “Enimerosi” shkruan: “Siç thonë, kriza greke do të ndikojë edhe në Shqipëri dhe sipas të dhënave që kemi marrë nga këto hotele, do të ngelen shumë pa u dhënë me qira”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›