Sekretet e dy motrave
Ambicioze, po aq sa të bukura. Marina e sportit dhe Luana e motit në “Top Channel” tani i përkasin dhe së dielës televizive. Mbi pesë vite eksperiencë në televizion, duke nisur si velina të “Fiks Fare”, njëra për të përfaqësuar biondet dhe tjetra brunet, në jetë nuk i ndan asgjë. Ato tregojnë eksperiencën e tyre si moderatoret e para motra në një format televiziv.
Shfaqeni moderatore të sezonit të programit “E Diel”. Për herë të parë dy motra në një format të vetëm, është komode për ju?
Marina: Të them të drejtën na pëlqeu oferta shumë, pasi ishte një nga dëshirat tona që të dilnim të dyja në një format të vetëm. Për herë të parë jemi dy motra prezantuese dhe kuptohemi mirë me njëra–tjetrën, shumë më tepër sesa do kuptoheshin dy kolege që i lidh vetëm puna.
Çfarë sjell kësaj here dyshja Luana-Marina në ekran?
Luana: Ne që nga fëmijëria në kopsht e deri tani që jemi studente në vitin II të degës Juridik nuk jemi ndarë kurrë nga njëra-tjetra. Por, në këtë program jemi dy gjysma që bashkohemi. E themi këtë pasi jemi dy karaktere krejt të ndryshme. Unë jam tipi alegro, ndërsa Marina tip i qetë.
Cili është misioni juaj në këtë format të ri?
Marina: Ne, pasi marrim skenarin, e transmetojmë me shumë humor. Pra, misioni ynë është që me batutat tona aty për aty të sjellim sa më shumë të qeshura për të gjithë shqiptarët që na ndjekin nëpër shtëpitë e tyre.
Si ndiheni teksa punoni me autorët e programit Armend Rexhepagiqin dhe Aida Barakun? Si janë ata në marrëdhënie pune?
Marina: Ata e duan shumë punën. Armendi është krejtësisht i njëjtë me personin që shfaqet në ekran, të vlerëson, të motivon dhe të bën optimiste. Ndërsa Aida është gjithmonë energjike, është ajo që e kërkon punën në perfeksion. Me shumë përkushtim punojnë fort për të realizuar më të mirën.
Ndërkohë që ju vazhdoni me programet e tjera që drejtoni, si ia dilni?
Marina: Po, unë momentalisht ndjek studimet e larta, “Procesin Sportiv” dhe “Top Select” dhe është një ngarkesë e vërtetë. Fundjava që për këdo mund të jetë relaks, natyrisht që për ne është edhe më e ngarkuar. Këtë marrëveshje e kemi bërë që në kohën kur zgjodhëm për të qenë në televizion. Kemi sakrifikuar akitivitetet e moshës dhe kemi fituar diçka më të madhe, një satisfaksion që nuk e zëvendëson asgjë dhe ky është afrimi me publikun.
Ju jeni dy motrat e njohura të një familjeje vetëm me femra. Si funksionon kjo familje?
Luana dhe Marina: Po, ne jemi pjesë e familjes prej tetë femrash, përfshirë dhe tre vajzat e motrës së madhe, Lirës dhe jemi shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Duke humbur babain që në moshë të vogël, mami jonë ka qenë ajo që ka bërë sakrifica të mëdha për ne, pra e kemi heroinën e shtëpisë. Motra e madhe jeton në Belgjikë dhe kemi një lidhje shumë të fortë, si të thuash ajo ka marrë rolin e babait. Ndërsa motra tjetër, Marseda, që është më e madhe se ne, mbulon anën intelektuale të familjes.
Shumë punë, po për dashurinë a e gjeni kohën?
Marina e Luana: Po, e gjejmë kohën për gjithçka.
Dy motrat, ku bashkohemi dhe ku ndahemi
Studimet?
Luana: Pasioni im ka qenë dega e Ekonomikut, por ngaqë nuk ndaheshim dot vendosa dhe unë të ndjek studimet në degën e Juridikut, që në fakt ishte dëshira e Marinës. Dhe tashmë pas dy vitesh mund të them që kam bërë zgjedhjen e duhur, pasi e shoh veten profesioniste në këtë fushë në të ardhmen.
Ngjyra e flokëve?
Marina: Jemi të dyja brune, por unë e ndryshova ngjyrën në “Fiks fare” në vitin 2005, duke hyrë me imazhin e biondes në televizion dhe vazhdoj të mbaj këtë imazh.
Sporti?
Luana: Marina është tifoze e Vllaznisë, ndërsa mua nuk më pëlqen sporti përveç rasteve kur shoh ndonjë trajner apo futbollist të bukur në lojë (shaka).
Udhëtimet…
Marina e Luana: Të dyjave na pëlqejnë shumë.
Meshkujt e bukur?
Marina: Mua s’më tërheqin meshkujt e bukur.
Luana: Nuk e di nëse më tërheqin ose i tërheq (shaka), por po mendoj se diçka e bukur kujt nuk do t’i pëlqente…
Martesa?
Marina dhe Luana: As njëra dhe as tjetra, jemi ende herët për të menduar për martesën.
Më mirë me partner apo pa partner në ekran?
Marina: Do të thoja që për mua Ed Manushi ka qenë partneri më i mirë. Në saje të përkrahjes së tij u përshtata për një kohë aq të shkurtër me emisionin “Procesi Sportiv”. Është Edi personi që më ka bërë të ndihem aq komode në studio.
Ideja për të lënë ekranin kujt i shkon në mendje?
Marina: Përveçse ekranit, ne po i mëshojmë shumë dhe shkollës, përderisa po studiojmë për drejtësi, pasi duam që e ardhmja jonë të mos mbetet vetëm në kornizat e ekranit. S’ mund të flasësh asnjëherë me siguri për të ardhmen.
Luana: Të ardhmes nuk i dihet, ndaj i bashkangjitem asaj çfarë tha Marina.