Sekretet e platformës për Kosovën

( E plotësuar) Për Serbinë Kosova gjithmonë do të jetë krahinë, por institucioneve të Kosovës do tu lejohet të prezantohen si të dëshirojnë.
Qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës në Serbi do ta konsiderojnë si qeveri të Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë, e njëkohësisht do të lejohet që para bashkësisë ndërkombëtare të prezantohen si Qeveri dhe kryeministër i Republikës së Kosovës.
Ky është thelbi i njërit nga parimet themelore që është i përfshirë në platformën për Kosovën të Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, të cilën e paraqiti këshilltari i tij Marko Gjuriq.
Ai i ka deklaruar gazetës serb “San” se me këtë nuk ndryshojnë shumë raportet në mes Beogradit e Prishtinë.
“Ka të bëjë me dykuptimsinë konstruktive. Kjo do të thotë që Serbia trajton Kosovën si krahinë, por njëkohësisht ne nuk mundemi që të ndikojmë në atë se si do t’i prezantohen bashkësisë ndërkombëtare politikanët nga Kosova. Në anën tjetër, nëse ne nuk do të pyeteshim për asgjë, atëherë nuk do të kishte bisedime me Prishtinën”, ka thënë Gjuriq
....
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petroviq, e konsideron platformën e presidentit të Serbisë Tomislav Nikoliq, si konfuze dhe nuk e ka të qartë nëse e përkrahë vet ekzekutivi në Beograd.
Megjithatë, ai ka vërejtur një përpjekje te autori që të arrihet deri te disa zgjidhje pozitive dhe të realizueshme.
Si elemente pozitive në këtë dokument Petroviq i sheh pjesët të cilat flasin për nivelin e lartë të decentralizimit të komunave me shumicë serbe, mundësin e bashkimit të komunave, lidhjet politike e financiare të serbëve me Beogradin dhe mbrojtjen e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore.
“Mirëpo, të gjitha këto elemente janë të përfshira në planin e Ahtisarit, ndërsa sot këto zgjidhje janë pjesë e ligjeve të Kosovës dhe atë të definuar deri në detaje. Sikur të na kishin konsultuar nga Presidenca në Beograd ne do tu tregonim për këto gjëra”, ka thënë Petroviq për mediet serbe, për gazetën serbe “Danas”.
Duke theksuar se nuk është e qartë se si kjo platformë do të ndikoi në dialogun e Prishtinës e Beogradit, zëvendëskryeministri kosovar ka vlerësuar se ky dokument ka disa mangësi të mëdha, siç është “mungesa e ndjesisë së autorëve për mundësin e implementimit në terren”.
“Këto propozime ndoshta kanë mundur të implementohet para 10 apo 13 viteve, por sot, kur shumë procese kanë ecur përpara, mendoi se faktorët ndërkombëtar nuk do të lejojnë që gjërat të shkojnë mbrapa”, ka thënë Petroviq./Indeksonline/