E Diel, 1 Nëntor 2026

Seks për triumf

Zëdhënësi i skuadrës së Afrikës së Jugut, Matlhomola Morake, kishte thënë në fillim të Botërorit se për futbollistët e skuadrës nuk do të “ketë as seks as birra”, pasi që lojtarët duhet të fokusohen në futboll.

Por, ky nuk është vetëm ekipi i fundit. Tani shumica e lojtarëve të Botërorit, që ishin në një formë të mirë fizike, janë shtyrë nga trajnerët të ndalojnë pijet alkoolike dhe seksin.

Trajneri i Anglisë, Fabio Capello, kishte një qëndrim të ashpër për këtë gjë, pasi që kishte thënë se thirrja e grave dhe e vajzave është një “virus” pasi i lënë zgjuar tërë natën lojtarët.

Në të njëjtën kohë, Brazili dhe Argjentina janë paraqitur shumë liberalë, pasi që mjeku i skuadrës, Donato Vallani, i ka thënë AP-së që lejon futbollistët të bëjnë seks sepse ata nuk janë priftërinj.

Por, a ndikon seksi dhe alkooli për një paraqitje më të mirë në ngjarje sportive?

Studiuesit e sportit thonë se përderisa nata është e qetë për futbollistin, atëherë paraqitja e tij në mëngjes nuk do të jetë e këtillë.

Një studim i vitit 1995, i bërë nga kolegji St. Scholastica në Minnesota, ka zbuluar që burrat që bëjnë punë rutinore në mëngjes dhe kanë pasur seks në mbrëmje, kanë një paraqitje shumë më të mirë sesa ata që nuk kanë bërë kështu.

Hulumtimi thotë se aktiviteti i zemrës të burrat rritet kur ata bëjnë seks, energjia është shumë më e mirë, ndërkaq mund të punojnë pa ndalë me kapacitet të plotë fizik për 10 orë.

“Të dhënat thonë se nuk duhet të mungojnë marrëdhëniet seksuale, pasi që pas tyre burrat mund të kenë një paraqitje të mirë, sidomos në punë”, thotë Prof. dr. Tommy Boone në studimin e tij për punët rutinore.

Në fakt disa endokrinoligë besojnë se të bësh seks ndihmon shumë në paraqitjen e lojtarëve në fushë. Sipas Emmanuele Jannini, profesor i endokrinoligjisë në universitetin L'Aquila në Itali, marrëdhënia e ndihmon trurin për të prodhuar më shumë testosterone, hormone të dëshirës, që rrisin agresivitetin dhe fuqinë – që janë tri gjëra esenciale për një paraqitje të mirë të një sportisti.

“Testosteronet rrisin si fantazinë ashtu edhe dëshirën dhe ato vinë pas marrëdhënieve seksuale”, tha Jannini. “Mirëpo, testosteroni po ashtu është hormon i agresionit, gjë që është shumë i mirë për futbollistët”.

Testosteroni është një hormon anabolik që ndihmon në aktivitetin e muskujve, që nuk është si steroidi dhe drogat e tjera që përdoren ndonjëherë nga sportistët.

“Testosteroni kështu është bari më i mirë natyral për sportin”, thotë Jannini. “Në vend që të përdorim barëra ilegale, të bërit seksi rrit paraqitjen anabolike duke bërë kështu krejtësisht një gjë natyrale”.

Seksi, OK

Megjithatë, për një gjë të këtillë futbollistët e Botërorit nuk kanë marrë mbështetje të plotë. Sipas Dr. Jo-Anne Kirby, doktoreshë sportive pranë Universitetit Stellenbosch, edhe nëse seksi rrit nivelet e testosteronit, efekti i tij në muskuj është gradual dhe nuk ndodh gjatë natës për të pasur efekt të plotë gjatë ditës.

“Ambienti është i ndryshëm, gjendja fizike dhe mendore për sportistin ndryshon, ndërkaq edhe aspekti psikologjik është i ndryshëm”, thotë Dr. Larry Birnbaum, shef i departamentit për ushtrime psikologjike në kolegjin e “St. Scholastica”.

Ideja që ndalimi i seksi për sportistin para një ndeshjeje të madhe ndërlidhet me filozofinë lindore, e cila thotë se burri lirohet nga energjitë dhe nuk ka vitalitet të mirë pas ejakulimit.

“Kjo nuk ka bazë shkencore dhe ndërlidhet me kohërat antike”, thotë Kirby. “Ka të bëjë më shumë me besimin fetar dhe ndalimin e grave për të qenë pjesëmarrëse në aktivitetet e këtilla”.

Kirby thotë se në realitet e vetmja gjë negative nga seksi për një sportist dhe paraqitjen e tij është mënyra se si ai e kryen marrëdhënien. “Disa e shikojnë seksin si relaksim, disa të tjerë e shohin si stresues”, thotë ajo. “Të qëndruarit zgjuar gjithë natën mund të shkaktojë lodhje te lojtari dhe kështu mund të reduktojë aftësitë koncentruese në lojë”.

Alkooli shkatërron sportistin

Mirëpo, përderisa ndalimi i vizitave të të dashurave mund t’ua shkatërrojë ekipin, hulumtimet thonë se trajnerët janë treguar të mençur që ua kanë ndaluar alkoolin futbollistëve.

Alkooli ndikon shumë në paraqitjen e futbollistëve në fushë. Disa studime kanë zbuluar që sportistët, të cilët pinë edhe sasi të vogla të alkoolit, kanë një paraqitje të dobët në krahasim më ata që nuk konsumojnë alkool.

Alkooli ndikon në psikikën e njeriut dhe fizikun e tij deri në 36 orë. “Komplikime më të mëdha mund të ketë nëse përsëritet pirja, ku paraqitja mund të jetë katastrofale”, tha Kirby.

Alkooli dehidron trupin, pushon muskujt dhe shkakton fjetje – të gjitha këto ndikojnë në paraqitjen dhe ushtrimet e sportistit. “Shumë atletë botërorë, më të cilët kam punuar, e kanë lënë sportin për shkak të alkoolit”, thotë Kirby.

Pavarësisht kësaj, plani i trajnerit të fitnesit të Argjentinës në Botëror ka funksionuar më së miri deri më tani; ai lejon që lojtarët të bëjnë seks me gratë dhe të dashurat e tyre, ndërkaq lojtarët mund të pinë shampanjë dhe cigare Havana deri në ora dy të pasdites. Dhe rezultatet e Argjentinës shihen në fushë. Tri fitore dhe nëntë pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›