Sekti “Rama” do hyjë në histori, se do e lërë PS 12 vjet në opozitë

Kastriot Islami flet një ditë pas përjashtimit, duke paralajmëruar anëtarësinë socialiste për kursin që po ndjek sekti i Edi Ramës. “Në vitin 2013, e majta nuk bashkohet dhe ardhja në pushtet nuk do ndodhë, thotë deputeti Islami, pasi sekti “Rama” s’do të fitojë zgjedhjet, por të forcojë kultin e individit në PS”
Deputeti i përjashtuar nga radhët e grupit parlamentar socialist, por që betejën e tij politike do ta vazhdojë në parlament, Kastriot Islami tha dje se asgjësimi i tij politik nga spektri ku ka punuar dhe përfaqësuar denjësisht për 20 vjet, u bë për arsye të mirëfillta politike, pasi në selinë rozë ka një projekt për mbizotërimin e kultit të individit dhe jo ballafaqimin dhe fitimin e sfidave elektorale. Në këtë sens, tha Islami, Rama ka filluar spastrimin e elementëve kritikë, duke dënuar dhe përndjekur çdo alternativë ndryshe që lind nga pjesëza e mbetur nga demokracia partiake. “Partia Socialiste po drejtohet në mënyrë personale, me ndikimin e dhunës dhe ndikimit klanor të një grupi klientelistësh që s’kanë lidhje me politikën. Edi Rama ka një kompleks të theksuar porsa i takon formimit politik dhe ekonomik. Kur ka ardhur në krye të PS, e ka gjetur partinë në gjendje shokuese, probleme të shumta si pasojë e përçarjes me LSI dhe humbjes në vitin 2005, bëri që Rama të ishte përpara kandidatëve të tjerë që kishin kontribuar në PS, por që iu mungonte pushteti dhe karrigia e Edi Ramës, atëherë në krye të bashkisë së Tiranës. Dhe kësisoj, synimi i Ramës është që të kontrollojë PS-në, të gjejë të gjithë mekanizmat e izolimit politik të saj, e izolimit politik të PS-së. Edi Rama, përveç se synon të jetë i suksesshëm në politikë, synon dobësimin e kundërshtarit në qeverisje, pretendon se një ditë do t’i vijë radha të fitojë zgjedhjet dhe të vijë në pushtet. Pra, aktualisht ai ka një projekt biologjik, porsa i takon programit të PS për qeverisjen e vendit, projekti i vetëm i vërtetë është për kontrollimin e PS”, u shpreh Islami. Lidhur me performancën e ardhshme elektorale të Partisë Socialiste, ku sfidë mbeten zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, deputeti Kastriot Islami tha se pa bashkimin e së majtës, Edi Rama do hyjë në histori si lideri që e la PS-në 12 vjet në opozitë. “Për vitin 2013 Edi Rama nuk e bashkon të majtën. Pasi s’do ia arrijë ta bëjë këtë, pasi mekanizmat e tij janë tërësisht privat dhe personal, me një klientelë që po tenton ta kthejë në sekt politik, unë besoj se në vitin 2013 kjo nuk do funksionojë më dhe Rama do humbë edhe PS-në. Humbja për të tretën herë radhazi, pra të mbetet Partia Socialiste për 12 vjet në opozitë, kjo s’ka ndodhur kurrë në histori dhe do të mbetet si dështimi më i madh politik, i njohur ndonjëherë”, tha ai. Ai komentoi më tej se forcimi autoritar i Ramës në PS, bëhet me qëllim spastrimin e partisë nga elementët kritikë që mendojnë ndryshe nga ai dhe nga shpura e klientelës që e rrethon. “Është e vërtetë që është forcuar në PS, por këtë po e përdor për spastrimin e PS nga të supozuar kundërshtarë të vijës së partisë, kundërshtarë të projekteve personale të Edi Ramës. Aty ka një grup shumë agresiv dhe ky është sekti pranë Edi Ramës, i përzgjedhur nga vetë ai dhe që janë të gatshëm të hidhen në sulm kundër çdo mendimi ndryshe. Me përjashtimin tim, ai dha një mesazh paralajmërimi për deputetët e tjerë, duke iu thënë se, ‘nëse edhe ju do ushtroni të njëjtat alternativa si Kastriot Islami, atëherë edhe ju do keni të njëjtin fat si Kastriot Islami’”. Por ndërkaq, deputeti Kastriot Islami solli në vëmendje se kundër vendimit personal të Ramës, për ta përjashtuar atë nga radhët e partisë, janë shprehur kundër 15 për qind e grupit parlamentar socialist. “Është 15 për qind e grupit që është kundër projektit sektar ‘Rama’ dhe kjo u pa edhe në votimin brenda grupit, ku katër deputetë votuan kundër, dy abstenuan dhe dy të tjerë nuk morën pjesë fare në parlament”, theksoi Kastriot Islami. Duke komentuar lëvizjet e papritura të deputetëve si ajo e Ermelinda Meksit, largimi i Rudina Seserit si dhe largimi i pritshëm i ish kryeministrit Pandeli Majko, Islami tha se gjithçka vjen si reaksion i pasigurisë që ndjejnë në Partinë Socialiste.
...