“Shqipëria vend i zhvilluar dhe i integruar, objektivi kryesor në harkun 2013 – 2020”

Komiteti i Planifikimit të Strategjive vendos nisjen e procesit të hartimin e strategjisë së re të zhvillimit 2013 - 2020
“Shqipëria vend i zhvilluar dhe i integruar është objektivi ynë kryesor në harkun kohor të strategjisë së zhvillimit 2013 – 2020”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Komitetit të Planifikimit të Strategjive, e cila vendosi nisjen e procesit të harrimit të Strategjisë së re të Zhvillimit për vitet 2013 – 2020. Sipas kryeministrit, gjithçka është në funksion të integrimit të vendit në BE. “Gjithçka është në funksion të integrimit në Bashkimin Europian, ndaj edhe strategjia do të adresojë të gjithë problematikën e Planit të Veprimit, të gjithë problematikën strategjike të raporteve të Komisionit Europian”, tha Berisha, duke shtuar se, “opozita është angazhuar të kontribuojë në këtë proces dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv”. Kryeministri Berisha parashtroi disa nga drejtimet kryesore ku do të përqendrohet Komiteti në hartimin e strategjisë. “Strategjia do të përcaktojë dijet, si shtyllën më kryesore të zhvillimit të këtij vendi, do të parashikojë të gjitha reformat e domosdoshme në mënyrë që në bazë të zhvillimit, lokomotivë e saj të jetë dija”, tha Berisha. Kryeministri kërkoi që në hartimin e Strategjisë të përfshihet edhe Plani i Veprimit për 12 rekomandimet e Bashkimit Europian, i rishqyrtuar nga Ministria e Integrimit së bashku me Komisionin Parlamentar të Integrimit, që kryesohet nga opozita dhe që ka tani mbështetjen e spektrit politik shqiptar. “Procesi”, tha Kryeministri, “njohu një ngadalësim për disa shkaqe që tashmë janë universalisht të njohura. Fakt është se, opozita është angazhuar të kontribuojë në këtë proces dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv”. Si metodën më efikase për hartimin e saj, Kryeministri vlerësoi atë të përfshirjes së të gjitha institucioneve, të konsultimit më të gjerë me shoqërinë civile, grupet e interesit dhe përthithjes së mendimeve më të avancuara. “Strategjia duhet të përcaktojë rrugët e zhvillimit të Shqipërisë dhe integrimit të saj. Drejtim më themelor është e do të mbetet Shqipëria dixhitale, qeverisja e hapur. Ky duhet të jetë një nga drejtimet më kryesore të strategjisë dhe e përpjekjes sonë për vitet që vijnë”, tha Berisha. Kryeministri theksoi se, “këto ditë, Ministria e Integrimit së bashku me opozitën kanë hartuar një Plan të ri Veprimi për 12 rekomandimet e Bashkimit Europian, në rrugën e integrimit europian, i cili është edhe qëllimi dhe projekti më madhor i këtij kombi dhe i këtij vendi. Kur themi zhvillim nënkuptojmë një vend që do të integrohet si vend i zhvilluar, me dinjitet në Bashkimin Europian, u shpreh Berisha, duke shtuar se, gjithçka është në funksion të integrimit në Bashkimin Europian, ndaj edhe strategjia do të adresojë të gjithë problematikën e Planit të Veprimit dhe të raporteve të Komisionit Europian. Strategjia, u shpreh Berisha, do të jetë një dokument i gjallë, vetëm në rast se ajo mishëron sintezën mendimin më të avancuar e më të gjerë. Ndaj, vijoi kryeministri, kjo kërkon një punë intensive, konsulta të shumta, për të gjithë problematikën që do të trajtohet. Konsulta me shoqërinë civile, e cila është një kontribuese e madhe e strategjisë ekzistuese dhe ka një potencial shumë të rëndësishëm dhe mundësi të madhe kontribuese në hartimin e strategjisë 2013-2020”, tha kryeministri. Berisha theksoi faktin se në hartimin e kësaj strategjie duhet të ketë konsulta intensive me botën akademike shqiptare, konsulta intensive me grupet e interesit. “Hartimi i saj në asnjë rast nuk mund të jetë produkt vetëm i zyrave tona. Zyrat tona kanë detyrën të bëjnë sintezën e kësaj konsulte të gjerë, të këtij procesi që synon të mbledhë, të sintetizojë e konkretizojë në këtë dokument mendimin më të avancuar, më të mençur, më vizionar që ekziston në shoqërinë tonë”, tha Berisha. Sipas Kryeministrit, “strategjia do të hartohet nga të gjitha institucionet e këtij vendi, për problematikën përkatëse”.
...