Imami: Përjashtimi i Islamit, PS tregoi se drejtohet nga fryma jakobine

“Rama mbizotëron në PS me demonstrim dhune”
Deputeti i Partisë Demokratike dhe njëherazi ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, duke komentuar përjashtimin e Kastriot Islamit nga Grupi parlamentar i Partisë Socialiste vuri në dukje se kjo parti është përfshirë nga fryma jakobiniste. Gjatë një deklarate për mediat, Imami e cilësoi këtë një veprim të inspiruar nga frika e Ramës, i cili në vlerësimin e ministrit, nuk e duron dot konkurrencën e ideve brenda PS-së. “Është një ngjarje që s’mund të lihet mënjanë dhe të kalohet pa një koment, pavarësisht se i përket një partie tjetër. Dua të them se është një veprim cili është i diktuar jo nga pozicionet konstruktive apo një politikë konstruktive, është një ngjarje e prodhuar nga një frymë jakobiniste që e ka përfshirë Partinë Socialiste prej disa vitesh. Është e vërtetë që po shkohet drejt një stabilizimi, drejt një ‘antante’ brenda në parlament, nuk kemi më dhunë, nuk kemi më demonstrim në parlament, por ka një përpjekje për të gjetur një konsensus për votimin e ligjeve me 3/5, por fryma jakobiniste, fryma e luftës, fryma e sektarizmit, fryma e dhunshme ndaj kundërshtarit politik përballë, apo edhe konkurrentit e kundërshtarit që ke në partinë politike, gjë që është normale në një demokraci, gjen zgjidhje me mjete krejt të papërshtatshme. Së dyti, kjo ngjarje është e inspiruar nga frika e Ramës, nuk është forca e kryetarit të partisë. Mund të ndodhë që një deputet mund të ketë mendime të ndryshme dhe mund të largohet, këto janë procese normale në një demokraci. Por për një deputet që ka kontribute historike në PS, si Kastriot Islami, qoftë në PS apo edhe në qeveri, përjashtohet jo thjesht se mungoi në një seancë të Kuvendit, mungoi në një votim, ky është pretekst. Shkaku i vërtetë është se Rama bashkë me çetën e tij përreth, nuk e duron dot konkurrencën në fushën e ideve, pasi deputeti Islami, por jo vetëm ai ka kundërshtuar një politikë opozitare në dëm të interesave të vendit, në dëm të reformave dhe integrimit të vendit, kur hiqet dorë nga kjo politikë, për arsye të ndryshme, atëherë dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Dhe Islami pikërisht këtë ka bërë, i ka dalë në ballë Ramës dhe i ka thënë ‘ti duhet të mbash përgjegjësi, pavarësisht se ti ke vendosur të ndryshosh. Dhe kjo është e papranueshme. Dhe kjo tregon se situata në PS nuk është një situatë jo të kënaqshme, jo në kushte harmonike për të mbështetur mendimet e përbashkëta, mendimet e rrahura dhe përmes një veprimi të përbashkët politik. Nga pikëpamja e kulturës politike të brendshme, të kujton disa veprime politike që në të vërtetë u ka shkuar koha”, tha Imami.
Duke iu referuar ambicieve të Ramës për postin e Kryeministrit, ministri Imami theksoi se “Rama e ka marrë mesazhin e elektoratit në 8 maj të këtij viti. Rama mori një përgjigje shumë të mirë për politikën e tij të gjatë dy viteve, me një grevë urie që u mbyll pas darkës në restorantin ‘Crocodile’ në Strasburg, organizoi një demonstratë të dhunshme dhe çoi me dorën e tij dhe me dëshirë, 4 njerëz në humbjen e jetës. Por siç duket, përsëri kjo politikë nuk ka marrë fund. Pavarësisht ndëshkimit që mori në 8 maj, megjithë refleksionit që mund dhe duhet të ketë bërë, fakti që merr akoma masa të tilla të ashpra, të shëmtuara, banale nuk thotë gjë të mirë, pasi një pjesë e mirë e grupit e ka kundërshtuar vendimin e Ramës”, deklaroi më tej Arben Imami.
...