Berisha: Nafta fermerëve do t’u shitet me koston e saj

TIRANË, 2 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim me fermerët në Dimal, nga ku bëri edhe prezantimin e programit PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Gjatë fjalës së tij Berisha premtoi se nafta do t’u shitet fermerëve me koston e saj.
“Nafta, për të gjithë popullatën së pari do ulet çmimi për të gjithë, sepse sot qeveria për litër nafte merr 1,1 euro. Ne do të vendosim atë barrë fiskale si Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Prandaj ata e kanë naftën 40-50 për qind më lirë se Shqipëria.
“Nafta fermerëve do u shitet me koston e saj. E keni marrë vesh ju, miliarderët vijnë e marrin 1 milion litra me jahtin e tyre dhe shtrojnë një drekë për kryeministrin. Janë të mirëseardhur, por kjo ndërpritet. Ato miliona litra do t’ua japim fermerëve tanë ne”, tha Berisha.
Berisha shtoi më tej se “do ndalohet importi i inputeve bujqësore që nuk shiten në BE. Dhe çdo import i tillë do të shpallet krim i rëndë”.
“Nuk ka pse të vijnë pesticide kancerogjene dhe t’jua prishin prodhimet. I pari që do kapet duke shitur inpute që nuk shiten në dy vende të BE, do dënohet për krim të rëndë”, tha Berisha.
Berisha tha se “do bëjë një mbështetje shumë të fuqishme për fshatin, sepse potenciali i fshatit është shumë i madh për prodhimin”.
“Ballkani i Hapur hidhet në kosh të plehrave javën e parë. Nuk ekziston!”, tha Berisha.
Berisha u shpreh me tej se “grumbulluesve unë u them këtu se i mbështesim, jemi të gatshëm t’i kreditojmë me kredi të buta dhe lehtësira të tjera, por çmimet nuk mund të jenë monopol. Nuk do jenë çmime që do vrasin prodhimin”.
“Së dyti, grumbulluesit nuk ju paguajnë faturat në mjaft raste. Kemi respektin më të madh për grumbulluesit, por ata do të detyrohen të marrin licencën kur të kenë bërë sigurimin në një kompani sigurimi”, tha Berisha.
/a.f/r.e/