Sekuestrohen 13 kg drogë në kufi me Malin e Zi, arratiset poseduesi
Policia e Shkodrës ka sekuestruar 13 kilogramë lëndë narkotike në vendin e quajtur “Gryka e shegave” në fshatin Hot të Malësisë së Madhe. Forcat e policisë kanë konstatuar një person me një thes në dorë, i cili po ecte në drejtim të kufirit të Malit të Zi dhe menjëherë patrulla e policisë i ka bërë thirrje këtij personi që të ndalojë. Poseduesi i drogës nuk i është përgjigjur thirrjes së policisë për ndalim, ai ka lëshuar thesin në tokë, pikërisht rreth 25 metër larg nga vija e kufirit me Malin e Zi.
Falë terrenit të thyer dhe i ndihmuar nga errësira, personi i paidentifikuar i cili transportonte lëndën narkotike ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes, duke vrapuar në drejtim të kufirit të Malit të Zi.
Gjatë verifikimeve të bëra në brendësi të thesit u gjetën 13 pako në formë katrore të presuara dhe të mbështjella me qese transparente, me lëndë bimore në formë boçe, në gjendje të tharë, të dyshuara si marijuanë, ku në total rezultuan 13 kilogramë.
Lidhur me këtë ngjarje efektivët e policisë po punojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit, të transportit të lëndës narkotike.