Sekuestrohen 2 kg kokainë, policia e Tiranës detaje mbi operacionin

Në një konferencë për shtyp Policia e Tiranës njoftoi sekuestrimin e 2 kg lëndë narkotike te llojit kokainë, arrestimin e dy personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve, përgjatë ditës së sotme.
Sipas zëdhënëses së policisë së Tiranës, Alma Katragjini në kuadër të operacionit të koduar “Royal”, u arrestuan në flagranca shtetasit; Aleksandër Gudo dhe Saluadin Bajrami.
Shtetasi Salaudin Bajrami është kapur në flagrancë në afërsi të sheshit “Avni Rustemi” në kryeqytet, gjatë momentit të shkëmbimit të 700 gr kokainë, ndërsa pjesa tjetër u gjet në banesën e personit tjetër.
Katragjini tha gjithashtu se dyshohet se këta persona dhe të tjerë të përfshirë, realizonin trafik ndërkombëtarë të lëndëve narkotike. Të arrestuarit e shpërndanin drogën në Kazino, Lojra Fati dhe vende të tjera të caktuara në Tiranë. Për arsye hetimi, policia nuk bëri me dije identitetin e dy personave të shpallur në kërkim.
Nga strukturat e Policisë së Kryeqytetit vazhdon hetimi ndaj personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, si dhe hetimi pasuror i Aseteve Kriminale të përfituara. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, per veprat penale parashikuar nga nenet 283/2, 283/a, të Kodit Penal.