E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, në Samitin e 15-të Ekonomik Euro-aziatik

Presidenti Topi

TRUQI- Presidenti i Republikës, Bamir Topi është ftuar të marrë pjesë në Samitin e 15-të Ekonomik Euro-aziatik në Stamboll me ftesë të Drejtuesit të Fondacionit Marmara, Dr. Akan Suver. Topi është nisur sot për në Turqi,  i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, dhe anëtarë të tjerë pjesë e delegacionit.

Presidenti Topi do të marrë pjesë në seancën e veçantë të Izmirit të krerëve të shteteve të ftuar në Samit, në Seancën e Presidentëve, me temë: Uria, varfëria, papunësia, gjatë së cilës, përveç diskutimeve mbi strategjitë e kapërcimit të situatës së vështirë të krizës ekonomike dhe financiare që ka përfshirë botën, do të flitet edhe për zhvillimin e mëtejshëm të perspektivave të përbashkëta mes vendeve evropiane e aziatike, fuqizimin e marrëdhënieve politike dhe shtimin e bashkëpunimit, sidomos në drejtim të rritjes së projekteve ekonomike dhe përmirësimit cilësor të jetës sociale të popujve.

Sipas njoftimit të Presidencës, Presidenti i Republikës do të mbajë një fjalë përshëndetëse mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri, mbi situatën e vështirë ekonomike e financiare globale, si dhe do të ngrejë çështje të rëndësishme të shtimit të bashkëpunimit euro-aziatik dhe të hartimit dhe zbatimit të projekteve të përbashkëta ekonomike, energjetike, infrastrukturore, etj, dhe të rritjes së prosperitetit për të gjitha vendet dhe të harmonisë mes popujve.

Në punimet e Samitit do të jenë të pranishëm autoritete të larta shtetërore të vendeve evropiane e aziatike, kryetarë shtetesh, si Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, ish-presidenti turk Sulejman Demirel, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, zëvendëspresidentë, kryetarë qeverish e parlamentesh, si: Kryetari i Parlamentit turk Xhemil Çiçek, ministra nga vende si: Belgjika, Azerbajxhani, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Kosova, Turqia, etj, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Islamik, Ekmeledin Ihsanoglu, drejtues e përfaqësues organizatash të rëndësishme amerikane, franceze, gjermane, ruse, angleze, zvicerane, etj, si dhe mjaft biznesmenë e të ftuar të tjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›