E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekuestrohen pasuritë e firmës “Arti”

Sekuestrohen pasuritë e paluajtshme të dy bashkëpronarëve të firmës së ndërtimit Arti Shpk. Po ashtu është bërë ngrirja e të gjitha llogarive bankare në të gjitha bankat e nivelit të parë dhe të dytë të këtyre personave. 

GJIROKASTER - Sekuestrohen pasuritë e paluajtshme të dy bashkëpronarëve të firmës së ndërtimit Arti Shpk. Sektori i Luftës Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit kanë bërë evidentimin dhe më pas sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të 2 bashkëpronarëve të firmës ndërtuese “ARTI”sh.p.k, konkretisht Sotiraq Janora dhe Aristotel Haxhi . Po ashtu është bërë ngrirja e të gjitha llogarive bankare në të gjitha bankat e nivelit të parë dhe të dytë të këtyre personave. Aristotel Haxhi bashkëpronar i shoqërisë së ndërtimit “ARTI” sh.p.k, vazhdon të jetë në kërkim nga ana e policisë ndërsa po punohet për kapjen e tij.

Ndërkohë policia e Gjirokastrës pas shoqërimit të dhjetëra personave dhe ndalimin e 9 prej tyre ka arrestuar në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, në afërsi të kufirit jeshil me shtetin grek, Gjergji Meçen, inxhinier zbatues i shoqërisë së ndërtimit “ARTI” sh.p.k. Fluksi i shoqërimeve dhe arrestimeve nisi që ditën e tragjedisë kur pjesa e një pallati 5 katësh u shemb papritur në lagjen 11 janari në Gjirokastër duke shkaktuar vdekjen e tre personave që gjendeshin në banesat e tyre dhe lëndimit e dhjetëra të tjerëve. Sipas policisë shkak i shembjes është bërë gërmimi në themelet e pallatit për të hapur vend për ngritjen e themeleve të një pallati të ri ngjitur me atë egzistues.

(O.Zh, BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›