E Diel, 1 Nëntor 2026

Fakulteti i Infermierisë në Universitetin “Kristal” i pari Fakultet në Shqipëri me diplomë europiane

Nga: Andrea Gudha 

Pas nënshkrimit të protokollit të bashkëpunimit midis rektoratit të Universitetit të Sienës dhe rektoratit të Universitetit “Kristal”(4 prill 2008) dhe pjesëmarrjes së Prof.Rosa Refini në provimet e diplomës të Fakultetit të Infermierisë (korrik 2008), Dekanati i Fakultetit të Infermierisë në U.K është në rrugën e mbarë për njehësimin e planit dhe programit mësimor me Universitetin e Sienës.

Koha eci shpejt për Universitetin “Krital”. Stafi i përzgjedhur pedagogjik me ambicjen e dimensionit të ri të shkollës europiane, për ta kthyer këtë Kampus, lider në arsimin e lartë shqiptar, bën të mundur, hap pas hapi, realizimin e dëshirës për diplomë europiane.

Në pararojë të kësaj nisme u vu Fakulteti i Infermierisë falë një stafi vullnetmirë për ta bërë ëndrën realitet.

Përmes koherencës së sistemeve dhe të vlerave më të mira të profesionit të infermierit në Shqipëri, dekanati i këtij fakulteti, duke njohur realitetet dhe parametrat bashkëkohorë të kërkesave që shtron koha, me një frymë të lartë bashkëpunimi ndërtuan një program teorik e praktik për t’ju përgjigjur sfidave të mjekësisë sot në fushën e infermierisë.

Më shumë studim e teori, më shumë informacion për të përballuar detyrën.
Kompania Arsimore “Kristal” duke marrë rolin e liderit në sistemin arsimor privat në Shqipëri guxon që të krijojë një elitë europiane, njerëzish të ditur.

Në diplomat e infermierisë është bërë realitet sfida për të mësuar “studente të maturuar” të moshave të ndryshme. Pra,u realizua një reformë.
Koha kërkon kualifikim e mësim të vazhdueshëm për infermierët.

Këtë dëshirë u a bën të mundur Fakulteti i Infermierisë, ashtu siç ndodh në botën perëndimore, në zbatim të parimeve të Kartës së Bolonjës dhe direktivave të Këshillit të Europës. Filiale mbështetëse të këtij Fakulteti u çelën në shumë qytete kryesore të vendit dhe studentët e parë u diplomuan falë dhe kujdesit e angazhimit me këtë punë të Ministrisë së Shendetësisë e asaj të Arsimit e Shkencës.

Cilësia e “prodhimit” të kësaj kompanie ka ardhur duke u rritur nëpërmjet vlerave intelektuale, që janë të angazhuar në fushën akademike dhe në Këshillin e Fakultetit. Vlerat e këtij Fakulteti pasqyrohen qartë përmes botimeve të Universiteit Kristal, siç është rasti i daljes së numurit .të parë të revistës “Medicus Kristal”, ku i kushtohet tërësisht përvojës së punës kërkimore, pedagogjike e shkencore të Fakultetit të Infermierisë. Një botim serioz e cilësor që synon e guxon ide të reja, përvojë e programe konkrete afatshkurtëra e afatgjata. Kjo revistë plotëson dhe një vakum në botime të këtij lloji në Shqipëri.
Pra nga ky kendvështrim, duke i konsideruar të barabartë në vlerat që kanë krijuar deri tani kolegët e Universitetit 800- vjeçar të Sienës në Itali, stafi pedagogjik i Fakultetit të Infermiersë U.K. është i përgjegjshëm dhe i përgatitur për rrugën e gjatë të bashkëpunimit me Universitetin e Sienës.

Realiteti dhe vizionet e këtij Universiteti Shqiptar sollën këto ditë nga Universiteti i Sienës pedagogun dhe përgjegjësin e degës mësimore të Infermierisë Prof. Maurilio Pallassini, i cili mori pjesë në zhvillimin e provimit të modulit të parë. Me Prof. Pallassini u organizua takim me studentë e pedagogë të Infermierisë dhe u konfirmua vazhdimësia e ndërsjelltë në zbatim të programit të bashkëpunimit midis Universitetit “Kristal” dhe Universitetit të Sienës.

Konkretisht, në muajin Dhjetor do të shkojnë në Universitetin e Sienës një grup studentësh dhe pedagogësh nga Universiteti Kristal. Studentët e Fakultetit të Infermiersë U.K. do të zhvillojnë një pjesë të praktikave profesionale në Siena dhe, së shpejti, studentët e Infermiersë U.K. do të studiojnë me tekstet dhe literaturën e dërguar nga Universiteti i Sienës.

Pas një pune të përkushtuar studentëve dhe të pedagogëve të Fakultetit të Infermiersë U.K, nën kujdesin e vazhdueshëm të stafit pedagogjik të Universitetit të Sienës, Fakulteti i Infermierisë në Universitetin “Kristal” do të jetë i pari Fakultet në Shqipëri me diplomë europiane.

Nuk janë lenë jashtë vëmendjes e kujdesit, që përcjellin këto vlera, edhe nga Ministrja e Shëndetësisë Z. Anila Godo, e cila pati një takim me miqtë italianë dhe drejtuesit e Fakultetit të Infermierisë. Ajo përgëzoi pjesëmarrësit për arritjet dhe për misionin e zbatuar qysh në hapat e parë të këtij stafi Akademik, si një korpus vlerash.

Hedhja e sigurtë e themeleve dhe përvoja e grumbulluar si dhe ambicjet e Kompanisë Arsimore Kristal janë në rrugën e plotë të integrimit me homologët në Europë e më gjërë.

“ Në një ndërmarrje nuk duhet të kesh frikë e as të shpresosh pa bazë, por duhet të kesh vetëm armët e duhura”, thotë një filozof bashkëkohor francez. Roli, imazhi dhe produkti që përgatiten në Fakultetin e Infermierisë po ndryshojnë me shpejtësi e rrënjësisht edukimin universitar të infermierisë në Shqipëri.

Suksesi i kësaj përvoje vjen si rezultat i meritës së drejtuesve të këtij ekipi, por dhe i prezencës së çmuar e ndihmës dashamirëse të kolegëve pedagogë italianë, të cilët, jo më në letër, por me veprime konkrete kanë hyrë në një rrugë të bukur integruese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›