E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekuestrohen pronat e ish-kreut te Bashkimit te Sindikatave te Pavarura

 Skuadra kundër pastrimit të parave në Policinë e Shtetit dhe Njësia Task-Force nën Prokurorinë e Tiranës, sekuestrojnë rreth 278.9 mijë dollarë amerikanë, 98 mijë euro dhe 400 mijë lekë të reja.

Vlerat monetare u bllokuan nga numrat e llogarive bankare të ish-kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, deri në vitin 1996, Valter Gjeka.

Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në kuadrin e të njëjtit hetim të koduar “Sindikalisti”, u vendos sekuestro edhe për tre ndërtesa një-dy dhe trekatëshe me sipërfaqe 1.800 metra katrorë, si dhe truall me sipërfaqe 6909 metra katrorë.

Gjeka sipas policisë, ndodhet jashtë shtetit, në Francë, dhe ndaj tij ka nisur procedimi penal ndërsa pritej të shpallej dhe kërkimi.

Të njëjtat burime thanë se pronat e sekuestruara i përkasin ish shtypshkronjës 11 shkurti, ish pronë e bashkimit të sindikatave të pavarura, të përvetësuara prej Gjekës.

Ky i fundit i kishte privatizuar në emër të vjehrrit dhe të afërmve të tjerë, të cilët më pas ia kanë kthyer në certifikatat e pronësisë.

Vlera e valutës dhe e lekëve të sekuestruara ka ardhur nga shfrytëzimi me qera i këtyre ambjenteve.

Sekuestroja nuk ka sjellë bllokimin e aktiviteteve që kryhen në ambjentet e përvetësuara dhe dhënin me qera prej Gjekës, pasi nuk cenohen kontratat e bizneseve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›