Sekuestrohet 1 kg marihuanë
Pas shqyrtimit dhe trajtuar në mënyrë shumë konfidenciale dhe profesionale të informacioneve të pranuara kohë më parë njësiti antidrogë i Policisë së Kosovës, ka arritur që të sekuestroj 1 kg substancë narkotike e llojit marihuanë dhe të arrestoj dy persona të dyshuar.
Në fakt deri tek ky operacion i suksesshëm i udhëhequr nga Drejtoria Antidrogë ka ardhur pasi që kohë më parë ishin pranuar informata se personat e arrestuar tregtonin drogë.
Zyra për informim e Policisë së Kosovës bëri të ditur se hetuesit policorë të Drejtorisë së hetimit kundër narkotikëve kanë bërë dje pasdite një kontroll të detajizuar fizik ndaj personave të dyshuar, i cili është zhvilluar në rajonin e Prishtinës e gjithashtu gjatë këtij operacioni është bërë bastisja e një shtëpie, shtëpi kjo pronë e personave të dyshuar.
“I tërë ky operacion ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar K.Rama me banim në Prishtinë dhe A.Gashi me banim në Prishtinë, e gjithashtu është konfiskuar një kilogram e 100 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë, e paketuar dhe e përgatitur për shitje”.
Policia sqaron se i gjithë operacioni është zhvilluar nën autorizimin dhe mbikëqyrjen e prokurorit publik të Qarkut të Prishtinës, ndërkohë që janë duke u përgatitur të gjitha procedurat penale të mëtutjeshme për rastin.