E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edmond Azemi në Liri

Nga Moral Pozhegu më 20 janar 2011 në ora 13:09

Shumë shpejt, Edmond Azemi do t’i bashkohet klubit të basketbollit Liria nga Maqedonia. Sigal Prishtina dhe klubi shkupjan kanë arritur marrëveshje që lojtari më i mirë kosovar i momentit ta ndihmojë Lirinë, e cila këtë sezon synon të futet në garat e play-off-it në kampionatin maqedonas.

“Do t’i bashkohem Lirisë së Shkupit, pasi klubet kanë arritur marrëveshje sepse kanë marrëdhënie të mira. Liria është klub shqiptar dhe ka shikues shqiptarë, të cilët duan ta shohin duke luajtur në skuadrën e tyre një lojtar shqiptar, pasi pjesa dërrmuese e lojtarëve janë të huaj dhe maqedonas”, deklaroi Azemi.

“Unë do të mundohem ta ndihmoj Lirinë që të futet në top 6, përkatësisht në play-off. E di se liga maqedonase është forcuar, por unë do ta jap maksimumin për Lirinë”, tha ai.

Azemi ka kontratë me Sigal Prishtinën, kështu që ai duhet të rikthehet në Kosovë para fillimit të play-off-it. Kampionati maqedonas fillon në fund të këtij muaji, ndërsa Edo, i cili ka fituar gjithçka me bardhekaltrit, do të luajë atje 2-3 muaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›