E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekuestrohet 1.3 mln m2 tokë bujqësore e dhënë kundër ligjit

TIRANË - Ligji i miratuar me shumë zhurmë një vit më parë "Për verifikimin e titujve të pronësisë mbi tokën" ka nisur të japë efektet e veta të para. Komisionet e ngritura për të kryer verifikimet në terren në harkun kohor të më pak se 6 muajve kanë mundur që të evidentojnë gati 1 milionë e 321 mijë metra katror tokë të "vjedhur" ose të marrë në mënyrë kundra-ligjore kryesisht nga anëtarët e komisioneve të shpërndarjes së tokës në fillimet e pluralizmit ose edhe zyrtarët e lartë të administratës së kohës, por ku nuk mungojnë edhe individë të tjerë privat. Këtë shifër e ka bërë dje publike Ministri i Shtetit për Reformat, Genc Pollo, i cili drejton dhe Komisionin Qeveritar të Tokës, ku veç tij bënë pjesë edhe Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, si dhe një sërë drejtuesish institucionesh që veprojnë në fushën e bujqësisë, policisë etj.
Takimi
Komisioni Qeveritar i Tokës i ngritur posaçërisht për zbatimin e ligjit të mësipërm, ka zhvilluar dje mbledhjen e fundit për vitin 2009, ku ka marrë në analizë gjithë veprimtarinë e kryer nga komisionet lokale për hetimin e zbatueshmërisë së ligjeve të mëparshme mbi të cilat është bërë shpërndarja e tokës bujqësore në vend. Kryetari i këtij komisioni, Genc Pollo, duke informuar edhe anëtarët e tjerë, ka bërë të ditur se që nga miratimi i këtij ligji deri në nëntor 2009 komisionet vendore kanë shqyrtuar 693 vendime, nga të cilat ka rezultuar se një sipërfaqe e konsiderueshme toke bujqësore prej 1.320.763 m2 ose 132 hektarë është marrë prej fermerëve në kundërshtim me ligjet, me të cilat është shpërndarë toka. Pra, thënë ndryshe, në vendimet e verifikuara të gjitha subjektet që zotëronin këto tituj pronësie kishin marrë tokë më shumë sesa u takonte në një sipërfaqe prej 1320 dynymësh, tokë e cila siç edhe është bërë e ditur nga Pollo u është marrë personave apo familjeve që i kanë pasur në pronësi. "Deri në fund të nëntorit të këtij viti u janë marrë zaptuesve 1 milionë e 321 mijë metër katrorë tokë, tokë e marrë në mënyrë të kundra-ligjshme nga zyrtarë abuzivë, por edhe nga privatë", - tha Pollo për mediat. Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se për të gjitha titujt e pronësisë që kanë dalë me probleme, janë marrë 92 vendime për shfuqizim të plotë të tyre dhe 89 vendime për shfuqizim të pjesshëm. Por, Pollo ka bërë të ditur edhe një fakt tjetër të rëndësishëm, se shumica e këtyre abuzimeve ka ndodhur pikërisht në zonat bregdetare, ku dhe vlera e tokës për shkak të zhvillimit turistik është tepër e lartë. "Me përparësi po shqyrtohen abuzimet në brezat turistike dhe janë identifikuar jo pak sipërfaqe të marra në mënyrë të kundra-ligjshme", - tha më tej Pollo.
Procedura
Në bazë të ligjit 9948 për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, komisionet vendore të krijuara pranë çdo prefekture, kanë nisur punën e tyre nga dhe kanë dalë edhe rezultatet e para të bëra të ditura më lart. Por konstatimi i problemeve prej tyre nuk nënkupton detyrimisht shkeljen e ligjeve të tokës, pasi të gjitha subjektet që kanë qenë objekt hetimi kanë mundësinë e ankimimit të rezultateve të komisioneve vendore në gjykatë. Megjithatë siç ka bërë ditur ministri Pollo, deri më tani rezultatet e komisioneve në shumicën e rasteve janë njohur si të drejta edhe nga gjykata, çka përbënë në këtë mënyrë dhe hapin e fundit për marrjen e tokës fermerëve, të cilët kanë përvetësuar më shumë sesa u ka takuar në bazë të ligjit dhe për t'ia kthyer atë fondit të tokave shtetërore të gatshme për tu përdorur për kompensimin fizikë të ish-pronarëve. "Ky është një proces që po vazhdon, po jep frytet e veta dhe pas konfirmimit në gjykatë, të këtyre vendimeve që kanë marrë komisionet përkatëse pranë prefekturave, ky fond toke i kthehet pronësisë së shtetit, për tu përdorur për qëllime publike, në radhë të parë për kompensimin e pronarëve", - tha Pollo. Megjithatë, ligji, mbi të cilin po kryhet ky verifikim përveç sekuestrimit të tokës për hesap të ish-pronarëve, njeh dhe një procedurë tjetër ku zaptuesve u jepet e drejta për ta blerë tokën që kanë marrë në mënyrë të paligjshme me çmimet e tregut, por ku sërish paratë që do të mblidhen do të përdoren për kompensimin financiar të pronarëve legjitim. Ligji parashikon një periudhë trevjeçare për të realizuar verifikimin e të gjithë titujve të pronësisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›