E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekuestrohet kaseta e qeverisë

TIRANË - Hetimet për çështjen “Gërdeci” shtrihen drejt Kryeministrisë. Sipas burimeve pranë organit të akuzës, mësohet se u administrua, duke u bërë pjesë e hetimit, procesverbali dhe kaseta filmike e mbledhjes së qeverisë, ku u miratua vendimi, që më pas do të përflitej si shkaku kryesor që solli tragjedinë e 15 marsit. Bëhet fjalë për vendimin e Këshillit të Ministrave me nr. 138, datë 14 mars 2007, “Për procedurat e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të forcave të armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, miratimi i të cilit sipas pamjeve filmike, nuk ka kaluar pa debat. Projektvendimi i paraqitur në qeveri nga ish-ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu, sipas kolegëve të tij ministra, nuk përcaktonte qartë procedurën e “shitjes së municioneve për çmontim dhe çmilitarizim”, i përcaktuar në pikën IV. Sipas prokurorisë që ka administruar procesverbalin e zbardhur të mbledhjes së 14 marsit të vitit të shkuar, në të cilën u miratua dhe ky vendim, rezulton se debati është përqendruar mes ministrit të Financave, që në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes nëpërmjet udhëzimeve të përbashkëta duhet të përcaktonin masën e fitimit që do të kishte ndërmarrja “Meico” nga shitjet e armëve dhe municioneve. Por kjo është një nga pikat e kundërshtuara në projektin e Ministrisë së Mbrojtjes, pasi një tjetër çështje tepër e debatueshme ka qenë pika IV e këtij projektvendimi, ku bëhet fjalë për procedurën e shitjes së municioneve për çmontim. Kjo pikë e miratuar pas disa debatesh, sipas prokurorisë, lë pa përgjigje mënyrën sesi do të përzgjidhet apo kontraktohet firma që do të kryejë procesin e çmontimit. Dhe pikërisht në paragrafin 3 të pikës IV të këtij vendimi thuhet se: “Procedurat e shitjes së municioneve për çmontim dhe çmilitarizim kryhen nga ndërmarrja “Meico”, në bazë të kontratave”, duke hedhur dyshimin se ky vendim i Këshillit të Ministrave është marrë, pasi “Meico” kishte filluar të punonte për të arritur marrëveshjen me kompaninë amerikane “Southern Ammunition Company” dhe disa muaj pasi Mihal Delijorgji kishte krijuar firmën e tij “Albademil”, së bashku me pronarin e “SAC”, Patric C. Henry III. Në fakt, “Albademil” lindi si firmë private rreth 3 muaj para se të kalonte në qeveri projektvendimi për shitjen e municioneve për çmontim dhe çmilitarizim. Në ndihmë të këtij versioni vjen edhe një relacion, që Ministria e Mbrojtjes kishte dërguar në qeveri. Sipas tij, rezulton se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kërkoi nga Këshilli i Ministrave të miratonte një VKM, për t’i dhënë të drejtën kompanisë “SAC” të fitonte pa tender projektin e demilitarizimit të predhave. Ky relacion së bashku me projektvendimin që u kthye në VKM më datë 14 mars të vitit 2007, si dhe procesverbali i kësaj mbledhjeje tashmë janë në duart e prokurorëve, të cilët po i shqyrtojnë në mënyrë të detajuar, për të vendosur më pas për imunitetin e kreut të republikanëve. Burime nga grupi hetimor thanë se e gjithë vëmendja është përqendruar në shqyrtimin e këtyre materialeve, të cilëve u është bashkangjitur dhe urdhri i ish-ministrit të Mbrojtjes për nënshkrimin e kontratës së dytë me kompaninë amerikane “SAC”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›