E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdec,120 punëtorë në pyetje

TIRANË - Punëtorët e fabrikës së Gërdecit do të ripyeten nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me mënyrën e demontimit të predhave, kushtet e sigurisë në punë dhe për disa incidente të regjistruara në ambientet e brendshme. Lajmi konfirmohet nga burime të prokurorisë, të cilat thanë se ky proces pritet të fillojë nga dita e sotme, ku një e nga një, të 120 punëtorët do të ripyeten, pavarësisht dëshmive të dhëna në polici apo në Prokurorinë e Tiranës. Sipas prokurorisë, është gati lista me 120 emra, e cila ditën e djeshme u zyrtarizua pas krahasimeve mes listës fillestare, dëshmive të prokurorisë dhe deklarimeve të familjarëve apo dhe vetë punëtorëve. Prokuroria tha se në listë janë emrat e punëtorëve që ndodheshin ditën e shpërthimit në fabrikë, të cilët çuditërisht janë nxjerrë rreth orës 11.00 nga ambientet e punës, afro një orë para shpërthimit. Kjo listë edhe pse e përpiluar me vonesë, mund të konsiderohet si zyrtare nga organi i akuzës, pasi ka emra personash, të cilët sipas pretendimeve të firmës, nuk rezultonin si punonjës të “Albademil”, madje nuk figuronin as në Drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore. Por marrja e dëshmive nga ana e prokuroreve të familjarëve apo dhe vetë punëtorëve arriti në përfundimin, se ditën e shtunë, datë 15 mars, në fabrikën e Gërdecit ndodheshin 120 punonjës, të cilët janë identifikuar dhe që sot do t’i nënshtrohen marrjes në pyetje. Një hap i tillë sipas hetuesve, do të jetë në shërbim të zbardhjes përfundimtare të shkaqeve që sollën shpërthimin tragjik, si dhe do të krijojë një panoramë më të plotë të masave dhe kushteve të sigurisë që kishte fabrika e Gërdecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›