Sekui: E patolerueshme që personat me aftësi të kufizuar nuk kanë mundësi punësimi e arsimimi
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui, e ka cilësuar si të papranueshëm faktin që në Shqipëri personat me aftësi të kufizuara nuk kanë mundësi punësimi dhe arsimimi.
“Shqipëria duhet të miratojë ligje dhe akte nënligjore për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar. Në Shqipëri vazhdon të jetë një problem arsimimi dhe respektimi i kuotave të punësimit, gjithashtu ligji për antidiskriminimin duhet të jetë më i fortë.Ne besojmë se e drejta nuk është ajo që jepet, por atë askush nuk duhet të ta marrë. Të gjitha vendet që aspirojnë në BE duhet të respektojnë këto të drejta, përfshi këtu dhe Shqipërinë që duhet t’i respektojë këto standarde”, tha Sekui.
Avokati i Popullit, Igli Totozani, tha se do përgatisë një raport mbi faktin nëse institucionet shtetërore respektojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
“Dëshiroj t’ju përmend iniciativën tonë më të fundit, për të kërkuar informacion nga institucionet publike, në lidhje me zbatimin e kërkesave të ligjit numër 7995, për nxitjen e punësimit, për punësimin e personave me aftësi të kufizuar. Ky informacion do të jetë pjesë e një raporti të veçantë, që institucioni i Avokatit të Popullit do ta hartojë për personat me aftësi të kufizuar”, tha Totozani./b.l