TemA TV/ PS: Pensionet e ish-ushtarakëve, tjetër dështim i Berishës (VIDEO)
Partia Socialiste ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Berisha për premtimet e pambajtura. Deputetja Vasilika Hysi ka thënë se Berisha ka dështuar me premtimet për ish-ushtarakët, ushtarakët në rezervë, ish-punonjësit e Policisë të Shtetit dhe ish-punonjësit e shërbimeve të tjera të kësaj natyre të nxjerrë në reformë.
Sali Berisha premtoi dy muaj përpara zgjedhjeve të 2009, Ligjin për pensionet e ish-ushtarakëve dhe ish-punonjësve të Policisë së Shtetit.
Premtoi dhe, siç pritej, nuk e mbajti këtë premtim: ai refuzoi zbatimin e atij ligji dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2007, i cili u jepte të drejtë ish-ushtarakëve. Një të drejtë që vetë ai kish shkelur në vitin 2006 me një akt normativ tërësisht anti-kushtetues, ka thënë Hysi gjatë një konference shtypi.
Ajo tha se Partia Socialiste do tu rikthejë ushtarakëve aktivë dhe ish-ushtarakëve dinjitetin e munguar ashtu siç do tia rikthejë atë Forcave të Armatosura dhe Policinë e Shtetit.
Ne do të zgjidhim përfundimisht problemet e zvarritura të pensioneve të ushtarakëve në lirim, policisë dhe shërbimit informativ.
Ne do të ndërtojmë skema të veçanta kontributive dhe përfitimesh, të kapitalizuara ose gjysmë të kapitalizuara, për sigurimin për pensione sipas vjetërsisë në shërbim, si edhe të përfitimeve shtesë për sigurimin e jetës së ushtarakëve që punojnë në kushte me risk të lartë.
Qeverisja socialiste do të rishikojë të gjithë statuset e ish-ushtarakëve, duke synuar shmangien e ndërhyrjeve çekuilibruese në skemat e përfitimeve.
Ne do tu japim ushtarakëve të liruar përfitimin e pensionit të parashikuar në ligjin Nr.9418 dt.20.05.2005 dhe do të shfuqizojmë të gjitha ligjet, aktet normative, vendimet e qeverisë apo urdhëresat e qeverisë aktuale që janë në kundërshtim me ligjin nr 9418 dt. 20.05.2005 Për sigurimin shoqëror të ushtarakeve të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë, tha Hysi./b.l