E Diel, 1 Nëntor 2026

Rozana Radi, 40 minuta rrëfen në gjyq sherrin me Rezarta Shkurtën

13/10/2011  Dëshmia e plotë e këngëtares dje në gjykatën e Tiranës. Si nisi sherri e si përfundoi

TIRANE- Veprimet miqësore që kanë shkëmbyer dy këngëtarët Rozana Radi dhe Rezarta Shkurta të dielën e kaluar në një program televiziv, duket se s’kanë qenë gjë tjetër veç se aktrim. Kjo pasi në seancën gjyqësore të zhvilluar dje në gjykatën e Tiranës, këngëtarja Rozana Radi nuk e ka falur ish-mikeshën e saj Rezarta Shkurti, me të cilët të dielën e kaluar shkëmbyen puthje njëra me tjetrën. Para gjyqtarit Gerd Hoxha, këngëtarja Radi ka pohuar se nuk kishte ndërmend të falte kolegen e saj Rezarta Shkurtën me të cilën u përplas fizikisht më 6 dhjetor 2010, nga ku ka mbetur e dëmtuar me një hematomë në sy. Pasi ka refuzuar të falë, Shkurtën, prokurori Ervin Karanxha ka vijuar pyetjes e të dëmtuarës, e cila për rreth 40 minuta ka dhënë dëshminë e saj rreth sherrit të ndodhur në mesnatë në afërsi të digës së Liqenit Artificial në Tiranë. Për shkaqe ende të paqarta gjatë dëshmisë së saj gjykata ka nxjerrë jashtë gazetarët, ndërsa nga burime brenda seancës gjyqësore mësohet se e dëmtuara i është përmbajtur deklarimeve të dhëna në Prokurori gjatë fazës hetimore. Sipas Rozana Radit, shkak i sherrit mes dy këngëtarëve është bërë një konflikt i lindur në programin televiziv “VIP Shtëpia” që transmetohet në Kosovë. Më tej ajo ka shtuar se, këto konflikte janë vijuar edhe në rrjetin social Facebook, dhe se më pas gjërat kanë degraduar deri në përplasje fizike. Sherri është zhvilluar për shkaqe xhelozie, pasi i fejuari i Rezarta Shkurtës Ermal Hoxha, ky i fundit nipi i Enver Hoxhës, ka pasur më parë lidhje intime dhe me këngëtaren Rozana Radi. Në dëshminë e saj Radi tregon dhe përplasjen fizike duke shtuar se: “Mora makinën time “Pezho 206”, me ngjyrë gri në bojëqelli dhe shkova në drejtim të vendit ku më tha Rezarta. Isha vetëm dhe po drejtoja makinën time, ndërkohë që sapo u shkëmbeva me një makinë “Benz” vishnje (të dhëna të tjera nuk mbaj mend), që ishte parkuar, me drita fikur, më telefonoi Rezarta dhe më tha: “Ndalo se jam mbrapa teje”. Unë ndalova makinën në cep të rrugës, hapa bllokazhet e dyerve dhe i thashë Rezartës që erdhi nga dera ime e shoferit që të dilte nga dera e pasagjerit dhe të hipte në makinë, me mundësinë që të bënim një xhiro, për të sqaruar problemet. Rezarta nuk pranoi, më hapi derën time, të shoferit normalisht, dhe ndërsa unë mendova të dilja nga makina, që të flisja me të, në momentin që po ngrija frenat e dorës, Rezarta m’u hodh përsipër, duke më sharë, gjuajtur me grushte dhe shkulur flokët. Në këtë moment, unë duke qenë se kisha dalë nga një ndërhyrje kirurgjikale në gjokse, kam ruajtur pjesën e bustit dhe e kam lënë fytyrën zbuluar, ku dhe Rezarta më qëlloi më shumë. Pas këtij momenti, unë kam arritur të dal nga dera e makinës dhe në momentin që unë dola, prapë Rezarta m’u hodh për të qëlluar, ndërsa doli një mashkull nga makina ku ishte Rezarta dhe u drejtua menjëherë drejt nesh, duke më kapur mua të dyja duart, ndërsa Rezarta më gjuante në fytyrë”.

Prokuroria kërkon vërtetimin nga gjykata maqedonase. Shtyhet gjyqi për Kumbaron

Akuza: Të certifikohet vdekja e Remzi Hoxhës

TIRANE-Prokuroria për Krime të Rënda i ka kërkuar sërish gjykatës që kjo e fundit t’i ripërsëriti autoriteteve maqedonase, kërkesën për dërgimin e vendimit gjyqësor dhe certifikatën e vdekjes së shtetasit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Sipas argumentimit të Prokurorisë, prej një viti drejtësia maqedonase ka shpallur Remzi Hoxhën si person të vdekur dhe nisur nga këto kushte këto prova plotësuese duhet të administrohen patjetër në dosjen e gjykimit. Pas kësaj kërkese përfaqësuesi i akuzës ka vijuar sërish me një kërkesë tjetër, ku këtë herë bëhej fjalë për lajmërimin e Ministrisë së Drejtësisë, që kjo e fundit të marrë kontakte me palën angleze, të cilës i është kërkuar pyetja e të pandehurit kryesor të këtij procesi Ilir Kumbaro. Pas këtyre dy kërkesave, gjyqi ndaj të pandehurve Ilir Kumbaro, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi është shtyrë për javën tjetër. Ndërkohë ditën e nesërme pritet që Gjykata e Lartë të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë për vlerësimin e masës arrest në burg ndaj Ilir Kumbaros, vendim ky që sipas akuzës do të ndikojë shumë në ekstradimin ose jo të ish-SHIK Ilir Kumbaro, që dyshohet se ka bërë torturimin, vrasjen dhe më pas zhdukjen e trupit të Remzi Hoxhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›