Sela kërkon votë masive dhe të lirë për Strugën

Kandidati për kryetar të komunës së Strugës, Zijadin Sela priti sot ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku. Pas një bisede me dyer të mbyllura, në deklaratën e mëvonshme të përbashkët për shtyp, Sela dhe Çejku përsëritën shqetësimin e rritjes së presioneve që po i bëhen banorëve shqiptarë të Strugës para rundit të dytë zgjedhor.
“Bëhet fjalë për presionin e vazhdueshëm dhe shantazhet që u bëhen qytetarëve në mënyrë që mos jenë të lirë të shprehin verdiktin e tyre. Shfrytëzova prezencën e ambasadorit dhe kërkova nga ai që të alarmojë edhe faktorin ndërkombëtar që ndodhet në Maqedoni dhe që monitoron zgjedhjet, që t’i paraqesë shqetësimet që kanë qytetarët, siç janë prezenca e pakuptueshme e forcave speciale, inspektorë të drejtorisë së të ardhurave publike, të cilët po bëjnë hatanë nëpër bizneset shqiptare, si dhe dënimet dhe kontrollet ndaj shqiptarëve dhe shantazhet e formave të ndryshme, të cilat po i bën qeveria këto ditë”, tha Zijadin Sela, kandidati i PDSH-së për kryetar të Strugës, i cili në balotazh do të ballafaqohet me kandidatin e dy partive etnike maqedonase.
Ambasadori Çejku bëri apel që zgjedhjet e 7 prillit të jenë model i suksesit të vullnetit të mirë të qytetarëve, në mënyrë që raundi i dytë zgjedhor në Strugë të jetë një votim plebishitar, raporton Alsat-M.
“Unë kam besim se institucionet shtetërore përgjegjëse do të marrin masat e nevojshme që këto zgjedhje në Strugë dhe në vendet tjera ku ka balotazh të jenë zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike, sepse këto standarde i bëjnë mirë demokracisë në Maqedoni dhe vetë Maqedonisë dhe vizionit të saj për integrim euro-atlantik”, deklaroi ambasadori shqiptar, i cili gjatë ditës u takua edhe me kandidatin e përbashkët të VMRO-DPMNE dhe LSDM-së, Vlladimir Koçovski, për t’i shprehur të njëjtin mesazh, që zgjedhjet e 7 prillit të jenë korrekte dhe demokratike.
Për mbështetje të kandidatit të PDSH-së, Zijadin Sela u shpreh sot edhe Izet Mexhiti, kandidat për komunën e Çairit dhe nënkryetar i BDI-së, i cili iu bëri apel simpatizantëve të BDI-së në Strugë që në balotazh të votojnë kandidatin e PDSH-së./Indeksonline/