E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selami Xhepa: President konsensual, ndryshime në Qeveri

Selami Xhepa

Intervista/ Flet deputeti i PD: Nano, shtetar i aftë në gjetjen e kompromiseve. Topalli, e aftë, por duhet kriteri konsensual.

Nano, shtetar i aftë në gjetjen e kompromiseve Topalli, e aftë, por duhet dhe kriteri konsensual

Deputeti i PD, Selami Xhepa, i sugjeron maxhorancës të zgjedhë një President konsensual në 100-vjetorin e Pavarësisë. Sipas Xhepës, fitimtari në demokraci nuk mund ti marrë të gjitha: Nëse ndryshon Kushtetuta, Presidenti të zgjidhet nga populli

Selami Xhepa është i pari deputet demokrat, që propozon zgjedhjen e Presidentit nga populli. Në një kohë që maxhoranca është shprehur për respektimin e Kushtetutës dhe zgjedhjen e kreut të shtetit, sipas ndryshimeve të bëra katër vjet më parë, ish-këshilltari i Kryeministrit Berisha, tani deputet i Bulqizës, flet për një tjetër variant. Nëse në një të ardhme do të rihapet debati mbi ndryshimet kushtetuese, besoj se do të ishte një ide e mirë që edhe Presidenti i vendit të zgjidhej me një votim popullor, duke mishëruar parimin e konkurrencës mes individëve dhe partive. Dhe nuk besoj se një zgjedhje popullore e kreut të shtetit do të kërkonte detyrimisht edhe shtim kompetencash të tij. Edhe me statusin aktual kompetencat e tij janë shumë të rëndësishme e thelbësore në mirëfunksionimin e jetës politike në vend, thotë Xhepa në një intervistë për gazetën Panorama. Në të njëjtën kohë, ai flet edhe për gjetjen e konsensusit mes maxhorancës dhe opozitës në muajin korrik, pasi sipas Xhepës fitimtari nuk mund ti ketë të gjitha. Deputeti demokrat vlerëson figurën e Jozefina Topallit si një personalitet të fortë dhe të spikatur në drejtimin e vendit, por shton se: Nuk besoj se çështja shtrohet në aftësitë e saj për të kryer një detyrë të tillë të lartë, por analiza duhet të shihet në kontekstin e gjendjes së tanishme të konfiguracionit politik në ndërtimin institucional të vendit dhe në kriteret që do të aplikohen në gjetjen e figurës konsensuale. Siç e nënvizova, parimi winner-takes-it-all nuk është në të mirë të sistemit demokratik dhe besoj as edhe të vetë partive politike që janë në maxhorancë. Nga ana tjetër, ai e cilëson ish-liderin e socialistëve, Fatos Nano, si një shtetar të aftë të gjejë kompromisin politik. Në figurën e tij shoh një shtetar të aftë në gjetjen e kompromiseve politike dhe që ka ditur të marrë vendime kurajoze, kur rrethanat e vendit e kanë kërkuar një gjë të tillë. Edhe në sjelljen e tij politike brenda partisë së tij gjen kurajon e tij për të hapur beteja të vështira, siç ishte lëvizja për katarsis, përpjekjet për rinovimin e një partie që kishte një të shkuar shumë të palavdishme etj. Selami Xhepa flet edhe për  largimin e Gazmend Oketës, të cilin e quan personal, por shton se theksi duhet vënë te shkalla e pamjaftueshme e demokracisë brenda forcave politike. Ndërsa për lëvizjen e Kreshnik Spahiut, ai thotë se Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar, kudo qoftë ai, që nuk e quan të shenjtë vendin e tij, atdheun dhe flamurin. Atdheu dhe flamuri janë motivet më të fuqishme në koshiencën dhe subkoshiencën e çdo individi, prandaj dhe të luash politikisht me ndjenja të tilla, është mëkati më i pafalshëm i çdo individi, madje nuk do ta ekzagjeroja që ta quaja edhe tradhti kombëtare.
Zoti Xhepa, krerët e maxhorancës kanë deklaruar se Presidenti i ri do të zgjidhet me 71 vota, ndërsa ambasadorët e huaj kanë përsëritur qëndrimin për një President konsensual. Përse po kërkohet nga shumica që të kalohet direkt në raundin e katërt, kur janë edhe tri raundet e para kur mund të tentohet konsensusi me opozitën?
Me organizimin aktual të sistemit politik të mishëruar në Kushtetutën e vendit, procedura e zgjedhjes së Presidentit është krejtësisht e qartë: në fillim kërkohet një konsensus mes forcave politike, përderisa tri raundet e para të votimit kërkojnë shumicë të cilësuar. Kur konsensusi është i pamundur, atëherë, për të parandaluar kalimin e vendit në kriza politike, ndryshimet konsensuale të Kushtetutës i dhanë zgjidhje duke e vendosur zgjedhjen e Presidentit edhe si një përfaqësues apo kandidaturë të propozuar të një maxhorance të thjeshtë. Sidoqoftë, edhe pse vendi ka një sistem politik që bazohet në parimin e maxhorancës qeverisëse, loja politike në demokraci nuk presupozon parimin winner-takes-it-all (fitimtari i merr të gjitha). Sistemi demokratik, pavarësisht nga forma e organizimit të tij, qëndron mbi parimin më themelor të një shoqërie demokratike check and balance, pra atë të balancimit të pushteteve. Në këtë kuptim, besoj se sa më shumë të gjejë vend konsensusi politik në raport me të gjitha institucionet e pavarura, aq më e shëndetshme do të ishte demokracia në vend. Nëse në një të ardhme do të rihapet debati mbi ndryshimet kushtetuese, besoj se do të ishte një ide e mirë që edhe Presidenti i vendit të zgjidhej me një votim popullor, duke mishëruar parimin e konkurrencës mes individëve dhe partive. Dhe nuk besoj se një zgjedhje popullore e kreut të shtetit do të kërkonte detyrimisht edhe shtim kompetencash të tij. Edhe me statusin aktual kompetencat e tij janë shumë të rëndësishme dhe thelbësore në mirëfunksionimin e jetës politike në vend. Në një kontekst më të gjerë, sërish mund të ridiskutoheshin edhe organizimi i Parlamentit me një apo dy dhoma, instrumentet e kontrollit parlamentar dhe një sërë çështjesh të tjera që mund ta përmirësonin mënyrën e funksionimit demokratik të sistemit tonë politik dhe të shoqërisë shqiptare.
Mua më duket se deri tani debati mbi zgjedhjen e Presidentit ka mbetur vetëm në kuadrin e deklarimeve personale të politikanëve, por ende nuk kemi një proces formal të hapur për këtë qëllim. Besoj se po vjen momenti që partitë të hedhin hapat konkretë të konsultimeve për ti dhënë mundësinë gjetjes së një figure konsensuale, jo vetëm për partitë, por për të gjithë shqiptarët. Duke qenë në prag të një ngjarjeje historike për vendin, siç është 100-vjetori i Pavarësisë dhe krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, do të ishte shumë e hijshme për politikën shqiptare të demonstronte maturi në sjelljen e vet. Ky mund të ishte rasti ideal për ti dhënë vendit shpresë se në një shekull të ekzistencës së vet të pavarur, shteti shqiptar është mjaftueshëm i maturuar dhe i aftë të ndërtojë një shoqëri demokratike kohezive, tolerante dhe të shëndetshme. Nevoja për një figurë konsensuale si President i vendit, nuk më duket se është më shumë një reagim ndaj asaj që kërkon faktori ndërkombëtar, sesa asaj që pret të shoh me padurim opinioni publik i vendit.
Në të njëjtën kohë, brenda PD-së është artikuluar jo pak herë edhe emri i kryeparlamentares Jozefina Topalli. E shikoni Topallin si Presidente të ardhshme? A nuk rrezikon maxhoranca fitoren në zgjedhjet e 2013 duke marrë të gjithë krerët e institucioneve?
Zonja Topalli është një ndër figurat qendrore në lidershipin e PD-së, një personalitet i fortë dhe i spikatur i jetës së vendit dhe që pa dyshim ka përpara potencialet për një karrierë të padiskutueshme, si brenda partisë edhe në hierarkinë e jetës politike të vendit. Zonja Topalli është një personalitet me shumë cilësi të çmuara dhe që e bëjnë atë një figurë të përshtatshme për të garuar për çfarëdo posti të lartë publik. Në këtë kuptim, nuk besoj se çështja shtrohet në aftësitë e saj për të kryer një detyrë të tillë të lartë, por analiza duhet të shihet në kontekstin e gjendjes së tanishme të konfiguracionit politik në ndërtimin institucional të vendit dhe në kriteret që do të aplikohen në gjetjen e figurës konsensuale. Siç e nënvizova, parimi winner-takes-it-all nuk është në të mirë të sistemit demokratik dhe besoj as edhe të vetë partive politike që janë në maxhorancë.
A m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›