Selami dhe Shehu: Deklaratat për heqjen e monumentit në Kavajë, të nxituara dhe të gabuara
Ish- drejtuesit e Lëvizjes së Dhjetorit shprehen kundër shkatërrimit të Monumentit të Demokracisë, që ndodhet në qendër të Kavajës.
Më erdhi shumë keq që dëgjova deklarata të tilla, qoftë për idenë e heqjes së monumentit që përfaqëson lëvizjen e parë antikomuniste në Shqipëri, qoftë për nga mënyra e formulimit të deklaratave që ishin krejt të papërshtatshme. Ishin deklarata të nxituara, të gabuara, pasi lëndojnë të gjithë ata që luftuan për lirinë dhe u përfshinë në lëvizjen antikomuniste në Shqipëri, është shprehur Eduard Selami për Panoramën.
Sipas tij, këto deklarata ishin të fabrikuara nën presionin e fushatës elektorale. Megjithatë, sipas tij, nuk mund të bëhet fushatë me simbolet kombëtare, nuk mund të kërkohen vota duke rrëzuar monumente.
Selami sqaron se monumenti nuk i përket asnjë partie dhe se është simbol kombëtar.
Për Dashamir Shehun këto deklarime janë budallallëqe .
Monumenti duhet të rrijë në Kavajë, aty ku e ka vendin ai simbol i lëvizjes antikomuniste. Rama po të dojë gishta, le të marrë ndonjë gisht tjetër, se dora ka pesë. Punë gishtash vajti ky muhabet, shprehet Shehu.
Ai nënvizon se është e drejta e qytetarëve ta mbajnë ose ta heqin monumentin dhe jo e individëve të veçuar politikë.