Karaxhiç, përballë dëshmitarëve në gjyq
Rifilloi në Hagë procesi gjyqësor ndaj ishudhëheqësit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, i cili u përball me dëshmitarë të palës paditëse për herë të parë. Dëshmitari i parë ishte Ahmet Zulic, një mysliman boshnjak i burgosur në një kamp serb. Ai ka qenë dëshmitar edhe tri herë të tjera, duke përfshirë edhe procesin gjyqësor ndaj Sllobodan Millosheviçit. Ai tregoi para gjyqtarëve se vjehrri i tij ishte varrosur i gjallë nga forcat serbe, pasi kishte tentuar të shpëtonte të mbijetuarit nga një sulm me artileri në një fshat afër Sanski Most në veriperëndim të Bosnjës. Po ashtu, ai tha se kishte parë me sytë e tij 20 burra myslimanë që kishin gërmuar varret e tyre para se t’u pritej fyti dhe të ekzekutoheshin nga serbët. Sipas prokurores Ann Sutherland, ai ishte mbajtur në një burg nga qershori në nëntor të vitit 1992, kohë kur kishte humbur plot 30 kilogramë. Dëshmia e Zulic zgjati përreth rreth një orë dhe më pas atij iu drejtuan pyetje nga Karaxhiç. Karaxhiç është nën akuzën për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit në Bosnjë-Hercegovinë në vitet 1990. Megjithëse Karaxhiç kishte deklaruar se do të vetëmbrohej, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për ish-Jugosllavinë urdhëroi avokatin Richard Harvey të ishte i pranishëm në proces. Në muajt në vazhdim, gjyqtarët do të dëgjojnë dëshmitë e 410 dëshmitarëve të ndryshëm. Karaxhiç u arrestua në Beograd në vitin 2008 pas 13 vitesh arrati.
#