Seldi ndahet me Pamelën
Në një bisedë me Domenikën, Seldi i ka thënë asaj se do t’i japë fund lojës me Pamelën. Ai nuk do të shtiret më sikur është i lidhur me të dhe i thotë se do të rrijë me atë që i pëlqen, duke nënkuptuar Domenikën
Ndërsa ditët kalojnë, banorët rrëfejnë diçka më shumë për veten dhe marrëdhëniet që kanë lënë jashtë. Jetmiri, i cili nuk ka folur më parë për jetën, ka treguar historinë e tij. Olta, gjatë një bisede me Gracielën, tregon për të dashurin e saj, ndërsa Valentina e ngacmuar nga Jetmiri zbulon paksa nga ideja e saj për të shkruar një libër. Banorët kanë shijuar verë, kanë kërcyer e kanë bërë lojëra, por nuk kanë lënë pas dore tema të tilla siç është buxheti e prova e javës, apo surprizat e mundshme që mund të bëhen gjatë spektaklit të së shtunës. Në këtë rast ata kanë diskutuar variantet e mundshme të eliminimit dhe të futjes së banorëve të rinj në shtëpi.
Jetmiri tregon për historinë e jetës së tij
Jetmiri i ka thënë Edit dhe Erjonit që askush nuk e ka pyetur për rrjedhën e ngjarjeve në jetën e tij. Me këtë rast ai fillon dhe u tregon vetë atyre. Që në moshën trembëdhjetëvjeçare ai ka jetuar në një komunitet në Itali, që përbëhej nga dyqind djem dhe drejtohej nga një prift irlandez. Ai ka ndjekur një shkollë të mesme të profilizuar dhe në fillim ishte ndjerë i vetmuar. Nuk fliste me njeri, por më pas ka krijuar shoqëri të mirë me disa italianë. Madje ai tregon që me avokaten mbrojtëse të tij është lidhur aq shumë, sa ka rënë në dashuri dhe kanë bashkëjetuar disa kohë. Më pas ai ka treguar që historia është pasioni i tij. Ai ka përgatitur një punim shumë voluminoz mbi historinë e Shqipërisë. Sipas Mirit, Shqipëria ka qenë gjithmonë një vend neutral dhe të gjithë heronjtë tanë na i kanë marrë vendet e tjera. Ai tregon që Aleksandri i Madh e ka pasur nënën me prejardhje shqiptare.
Pijnë verë
Banorët kanë vendosur që të konsumojnë verë dhe kanë marrë nga një shishe për tre persona. Ata e kanë filluar pijen me dolli dhe e para që e ka bërë këtë gjë ka qenë Bertina. Ajo e ka pirë gotën me fund, sepse Jetmiri i ka thënë që do të ngrinte dolli për familjen e saj. Jetmiri i ka thënë që do ta pijë me fund vetëm nëse bën dhe ajo të njëjtën gjë, ndaj edhe Bertina ia ka plotësuar kërkesën. Në këtë moment është përfshirë dhe Erjoni. Graciela e ka ndarë pjesën e saj me djemtë, pasi ajo nuk donte të pinte shumë. Erjoni, Bertina, Jetmiri dhe Gjimi dalin jashtë dhe Jetmiri i thotë Bertinës që ajo me Erjonin nuk i kanë ndenjur fare pranë sot. Ajo i thotë që e kanë lënë të lirë që të mendohej. Jetmiri ia kthen se ai kishte nevojë që ata t’i qëndronin pranë.
Ushqimi dhe bisedat
Pas bisedave të ndryshme, banorët shkojnë në tavolinën e ngrënies dhe pothuajse të gjithë hanë darkë. Këtë herë bisedat që zhvillohen rreth ushqimit lidhen me buxhetin e javës. Ata diskutojnë se çfarë mund të kishin blerë më tepër dhe çfarë mund të kishin lënë pa blerë. Midis të tjerave, banorët i shqetëson edhe fakti se si do t’ia bëjnë nëse javën e ardhshme nuk e fitojnë provën. Pasi mbarojnë ushqimin, Domenika diskuton me banorët e tjerë për pecetat e tavolinës që janë bërë pis. Kjo gjë e shqetëson Domenikën, e cila u kërkon të tjerëve që të mundohen ta mbajnë më pastër herën tjetër. Ndërkaq, Graciela dhe Olta dalin jashtë dhe bisedojnë. Olta tregon për të dashurin e saj, duke përmendur edhe anën financiare të tij. Duke folur për dyqanet që ka i dashuri i Oltës, biseda zhvendoset te rrobat, çmimet e tyre dhe blerjet. Më pas në ballkon vjen Kika dhe të tre bisedojnë për gjëra të zakonshme.
Përfundon “lidhja” Seldi-Pamela
Seldi dhe Domenika janë ulur në divan dhe po shihen të dy në pasqyrë. Domenika bën tualetin dhe Seldi, duke rregulluar flokët, bisedon me të. Në një moment ai i thotë Domit që loja mes tij dhe Pamelës tashmë ka marrë fund. Domenika e pyet se përse ky vendim. Seldi ia kthen se nuk do që të rrijë me Pamin në mënyrë të detyruar, për t’u dhënë banorëve të tjerë idenë se midis tij dhe Pamelës vazhdon të ketë diçka. “T’ia bëj pak qejfin vetes unë? Dua të rri me atë që më pëlqen vërtet”, i thotë ai Domenikës. Loja mes tij dhe Pamit tashmë nuk ka më rëndësi. “Ajo ishte lojë dhe loja kaq e pati”, vazhdon më tej Seldi. Ai thekson se tani nuk do që të shtiret më, sepse kjo nuk ka më kuptim, por sigurisht që ai do ta ketë Pamin pranë, por vetëm si shoqe.
Pamja e jashtme
Vali i tregon Oltës për pushimet e verës, se si i kalon zakonisht me mikeshat dhe me mbesat. Të dyja pohojnë që pushimet domosdoshmërish duhen kaluar me miqësi e me grupe të mëdha, pasi aty është e gjithë bukuria. Më pas biseda kalon te këpucët. Olta i thotë Valit që ajo i përdor shumë këpucët balerina (quhen kështu, pasi janë si modeli që përdorin dhe balerinat), ndërsa në darkë vesh këpucë me taka të larta. Ajo thotë që gjatë ditës është e parehatshme të rrish mbi taka, pasi është në lëvizje. Ato bisedojnë edhe për flokët. Vali i thotë që asaj i janë prishur shumë flokët këto kohë, ndërsa Olta i tregon që ka “extation” (flokë të shtuar) dhe i pëlqejnë. Më pas bashkohen dhe banorët e tjerë dhe ata kanë kureshtjen të dinë sa është ora. Erjoni do të bëjë një eksperiment me një shkop, që ta vendosë në mënyrë të tillë që, në bazë të pozicionit të diellit dhe ndryshimit të hijes mbi shkop, të kuptojnë sa është ora.
Limitet e veprimeve
Domi u thotë banorëve që ata duhet të kenë më kujdes me buxhetin e javës dhe me mënyrën se si e shpenzojnë. Në qoftë se diçka u mbaron, ata nuk mund të kërkojnë më tjetër, pasi atyre u ka ardhur ajo sasi që kanë kërkuar. Ajo ka thënë që të gjithë duhet të jenë prezentë kur merren vendime. Djemtë flasin për mundësinë që mund të ketë eliminime surprizë. Erjoni thotë që mund të ikë një e të futen dy. Gjimi thotë që nëse shkel një rregull, ka dhe ndëshkime. Vajzat i thonë që ai u kujton komunizmin me atë term. Më pas ata dëgjojnë tingujt e radio “BB” dhe Vali thotë që kur dëgjojnë zërin e folësit, vajzave u vjen për të qeshur. Kika vjen dhe u tregon miqve se ai i ka larë sytë me ujë të gazuar dhe i duket gazmore. Jetmiri i thotë Valit se ka dëgjuar që ajo do të shkruajë një libër dhe i kërkon t’i tregojë më tepër. Ajo i thotë që është e vërtetë, por do që të mbetet surprizë. Ai e pyet çfarë tematikash do të përmbajë, dhe ajo i thotë që do të ketë fragmente nga jeta e saj në formë poezie dhe poeme, por do ta lerë të hapur që ta vazhdojnë dhe vajza, nipat e mbesat.
Bisedat e ditës
Kika, Erjoni dhe Seldi kanë folur gjatë mbi emisionet në Shqipëri. Ata kanë dalluar mes moderatorëve të tjerë Mustafa Nanon dhe Adi Krastën. Seldi ka thënë që i pëlqen shumë stili i drejtimit të emisionit që bën Nano dhe i duket shumë i veçantë. Ndërsa Erjoni është shprehur se pëlqen më shumë Krastën dhe i duket më origjinal. Seldi dhe Erjoni nuk kanë rënë dakord në disa pika të veçanta dhe Kika u ka thënë që, ata kur marrin shembuj, duhet të marrin parasysh që secili ka karakteristikat e veta. Më pas, Erjoni ka thënë që “Top Media” i pëlqen si televizion, sepse të gjithë stafin që ka pasur te radioja, e ka kaluar më pas te televizioni dhe e ka rritur vetë stafin e tij. Ata përmendin dhe “Top Fest”-in si një projekt shumë të arritur, i cili vazhdon ta mbajë cilësinë e tij.
#