Teodor Keko, një çmim i harruar
I firmosur më 2008-n nga ministri Pango, çmimi vjetor nuk është ndarë asnjëherë
Vetëm dy ditë më parë, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u ndanë çmimet vjetore të letërsisë apo çmimet Kombëtare. Nga viti në vit, emërtimet e tyre kanë ndryshuar (më parë ka qenë Penda e Artë dhe e Argjendtë) apo janë shtuar (të tilla janë çmimet që mbajnë emrat e personaliteteve të njohura të letrave). Megjithatë, në këtë ministri ka çmime të firmosura që nuk janë ndarë asnjëherë. I tillë është çmimi vjetor “Teodor Keko” i firmosur në shtator të vitit 2008 nga ish-ministri Ylli Pango. Në njoftimin e atëhershëm të thuhej se “çmimi në fjalë krijohet për të nxitur pasqyrimin në shtypin e përditshëm dhe atë periodik të arritjeve dhe problematikës në fushën e kulturës dhe arteve, për një trajtim sa më profesional të fenomeneve kulturore, si edhe për të vlerësuar figurën dhe kontributin e shkrimtarit dhe gazetarit të njohur, Teodor Keko". Ministri Pango e firmosi këtë çmim në 50-vjetorin e lindjes së Teodor Kekos, atëherë kur familja dhe miqtë ia festuan me disa botime. Por çmimi “Teodor Keko” mbeti vetëm në letra, nuk është ndarë asnjëherë. Jo vetëm atë vit, por as këtë që lamë pas. Nga Ministria e Kulturës thonë që ky çmim nuk është zhvleftësuar. Sipas tyre, ky çmim nuk u nda si pasojë e largimit të ministrit Pango, ardhjes së një ministri të ri, Ardian Turkut, që kaloi “transit” në këtë ministri e më pas arsye të tjera. Specialistët sqarojnë se çmimi “Teodor Keko” do të rijetëzohet. Po a është i lidhur një çmim me jetëgjatësinë e një ministri që e firmos? Nëse po, në ndërrimet e shpeshta të ministrave të Kulturës duhet të kishim një lum çmimesh që firmosen, ndahen ose s’ndahen, e pastaj harrohen.
#