E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emergjenca e punësimit në Europë prek edhe Shqipërinë

Historia e planetit tonë ka të regjistruara një numër të pafund katastrofash natyrore, të cilat kanë shpërthyer me shpejtësi e vrull të paparë, duke mos u lënë aspak kohë njerëzve të sigurojnë një rezistencë të mundshme për të minimizuar sadopak dëmet. Katastrofat janë shoqëruar me një numër të konsiderueshëm viktima në njerëz, shkatërrime në qytete, me pasoja të rënda sociale e mjedisore. Mirëpo duhet theksuar se krahas tyre ka edhe një lloj tjetër katastrofe, e cila mund të lindi nga kriza e papunësisë masive. Ndryshe nga të tjerat ajo nuk vjen e paparashikuar. Aktualisht ajo vazhdon të shfaqet pa zhurmë, mbyturazi, mes lajmeve për krizën ekonomike financiare, duke u përhapur frikshëm në mjaft vende të botës me rrezikun e pllakosjes së varfërisë, mjerimit dhe urisë.Para pak kohësh, zv.presidenti i Bankës Botërore, Shigeo Katsu, përgjegjës për rajonin e Europës dhe Azinë Qendrore, deklaroi se “brenda vitit 2010, më se 35 milionë njerëz do të rikthehen në statusin e varfërisë dhe të dobëtit”. Sa u përket vendeve të Europës së Bashkuar, para një dekade, ekspertët e kësaj fushe sugjeruan politika stimuluese për evitimin në kohë të pasojave që lindin nga shfaqja e papunësisë masive. Nisur nga ky shkak, Bashkimi Europian, emergjencën e punësimit e ka vendosur në përparësi të axhendës së veprimtarisë së tij, duke aplikuar në disa vende stimuj fiskalë e monetarë për rritjen e shkallës së punësimit. KE në mbledhjen e 15 mars të vitit 2008 përcaktoi se: “Investimi më i madh dhe me më shumë efikasitet i kapitalit njerëzor, në formim dhe krijimtari në veprimtarisë jetësore, përbëjnë kushtet më esenciale për suksesin e Europës në një botë të ‘globalizuar’”.
Duke iu referuar realitetit të sotëm duhet pranuar se, shpejtësia e shkallëzimit të krizës, e bën edhe më të vështirë realizimin e objektivave për investimin progresiv të kapitalit njerëzor, në veprimtaritë formuese e krijuese. Kjo diktohet edhe nga fakti se në mënyrë krejt të natyrshme qeveritë e vendeve të ndryshme, janë të përqendruara në zgjidhjen e problemeve të emergjencës kombëtare. Si rrjedhojë e kësaj, ato detyrohen të spostojnë në plan të dytë problemin e ruajtjes e zhvillimit të mëtejshëm të kapitalit njerëzor dhe ndjekjen e objektivit të caktuar drejt formimit permanent. Sipas Eurostatit, është shënuar një rritje e ndjeshme e papunësisë në vendet e Eurozonës, që kapin shifrat nga 7.3% që ishte në marsin e 2008-s, në 9.7% në shtator të 2009-s. Për herë të parë, tema e njohjes dhe rikualifikimit u konsiderua primare që në mars të vitit 2000, sipas “Strategjisë së Lisbonës”. Në atë kohë u përcaktuan dy probleme kryesore: mungesa e kualifikimit personal e me njohuri gjuhësore, si dhe fenomeni i plakjes së popullsisë.
Pikërisht këtu duhet të nisë edhe rënia e kambanave të alarmit për rrezikun serioz që kërcënon shoqërinë shqiptare. Të dhënat e vitit 2009 tregojnë se të ardhurat për frymë në Shqipëri janë vetëm 3450 dollarë, shifër kjo më e ulët nga të gjithë fqinjët tanë (Bosnja 4080, Maqedonia 4410, Serbia 5480, duke veçuar Slloveninë me 24180 $ me të ardhura për frymë, 7 herë më të larta se Shqipëria). Sipas vlerësimit të fundit të FMN-së dhe BERZH-it, Shqipëria renditet në vendin e tretë nga fundi me të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë. Sipas FMN-së, të ardhurat për frymë të një qytetari shqiptar sot janë 10 herë më të ulëta se mesatarja e 15 vendeve të para të BE-së. Banka Botërore e vendos Shqipërinë në listën e vendeve që do të varfërohen edhe më shumë, duke filluar nga 2010-a, veçanërisht nga rritja e papunësisë mes emigrantëve, remitancat e të cilëve gjatë dy viteve të fundit kanë pësuar ulje të ndjeshme. Së bashku me Moldavinë dhe Taxhikistanin, Shqipëria renditet ndër vendet me varësi më të lartë nga puna e emigrantëve. Ajo ka afro 1.2 milionë të punësuar jashtë vendit dhe rreth 400 mijë të punësuar brenda vendit. Gjithashtu, pjesa më e madhe e 1.6 milionë shqiptarëve që jetojnë në fshat e sigurojnë jetesën me paratë kesh të dërguara nga emigrantët. Shqipëria, me rreth 800 mijë familje dhe 1.2 milionë emigrantë, është vendi me numrin më të madh të emigrantëve në raport me popullsinë në Europë. Për fat të keq, emigrantët shqiptarë janë përqendruar më tepër në dy vendet fqinje, Greqi e Itali, që cilësohen si dy vendet më të prekura nga kriza në Eurozonë. Gjatë vitit 2009 (prill-qershor), papunësia në Shqipëri, sipas INSTAT-it, pati rritje në nivelin 12.7%. Zyrtarisht, në Shqipëri numërohen gjithsej 141 mijë të papunë, por në realitet kjo shifër është më e lartë (shumë ekspertë deklarojnë dyfishin), duke pasur parasysh se jo të gjithë të papunët regjistrohen në zyrat e punësimit. Ndërkohë që nuk ka të dhëna të sakta për të papunët në bujqësi. Ekspertët vlerësojnë se, edhe shifra zyrtare prej 12.7% e papunësisë është shqetësuese për një vend si Shqipëria. Papunësia mbetet një nga problemet kryesore në Shqipëri, e ndjeshme thuajse në të gjitha zonat e vendit, si në ato me zhvillim të ulët ekonomik, ashtu edhe në qytetet e mëdha, në të cilat ka një përqendrim të lartë të popullsisë. Në këtë realitet bashkëjetese me aspirata për arritje standardesh europiane, krahas një pafundësie emergjencash (duke veçuar të “paparashikuarat”) që duhen kapërcyer, premtimi i qeverisë aktuale (me euforinë e zakonshme që e karakterizon), për hapjen e 150 mijë vendeve të reja pune pa strategji, gjatë mandatit të saj, duket sa i domosdoshëm aq edhe i pamundur të realizohet.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›