Çipi: Luajtëm për publikun, duam 3 pikët
Për shefin e klubit Flamurtari, pas minutës së 76-të, ndeshja duhej të ishte ndërprerë pas gjakosjes së gjyqtarit
Për atë incident që ndodhi në ndeshjen e djeshme në Pogradec, normalisht që pritej të kishte edhe një reagim nga ana e klubit Flamurtarit. Ndërkohë që Muça ka qepur gojën dhe nuk ka dashur të komentojë, duke e cilësuar ndeshjen të papërfunduar, ka qenë shefi i klubit vlonjat, që ka dalë në një pronocnim për Sportin shqiptar, teksa ka sqaruar gjithçka që ndodhi në fushën e lojës, duke theksuar:
Dua ta filloj së pari nga ai moment, ku ne kemi edhe pretendimin më të madh. Në momentin e shënimit të golit të dytë të Skënderbeut, dua të them se ishte një gol në pozicion jashtë loje, ndërkohë që këtë e ka vënë re edhe asistenti Çokaj, që ka ngritur edhe flamurin, por fatkeqësisht është goditur me gur në kokë.
Kjo ka ndodhur në momentin që lojtarët vendas po gëzoheshin dhe gjyqtari kryesor nuk e ka vënë re Çokajn, që më pas është drejtuar për të kërkuar edhe ndihmën e mjekëve. Le që goli ishte pozicion jashtë loje, por u desh edhe koka e çarë e gjyqtarit Ridigers Çokaj, që të sillte edhe irritimin tonë, sigurisht me të drejtë. Qysh në këtë moment loja nuk duhej të kishte vazhduar më, sepse të gjithë e panë që edhe gjyqtari u ndërrua dhe loja vijoi për ne, thjesht sa për publik.
Kjo që ndodhi ishte një turp dhe më vjen keq, sepse kishte edhe vëzhgues të FSHF-së dhe njerëz të tjerë, të cilët duhej ta kishin ndërprerë menjëherë ndeshjen dhe jo të ishim ne ata që të merrnim atë vendim, e ritheksoj me të drejtë. Pas ndeshjes ne kemi bërë edhe reklamimin e duhur në protokoll dhe kërkojmë tripikëshin në tavolinë, pasi ajo nuk u luajt, por thjesht për publikun u respektuan minutat e mbetura.
Pothuajse gjatë gjithë ndeshjes u luajt pak futboll, pasi ishin korçarët ata që ndërhynin shumë ashpër ndaj nesh, madje shumë herë ndaj Pejiçit, por ne nuk reaguam dhe e respektuam ndeshjen. Më pas gjakoset gjyqtari anësor dhe vijon ndeshja, kjo është vërtet për tu çuditur. Pas kësaj ne jemi në pritje të vendimit të Federatës së Futbollit dhe jemi të bindur që tripikëshin do ta marrim në tavolinë, sepse vërtet na takon.
Me gol të parregullt dhe me goditje të gjyqtarit, Skënderbeu nuk mund ta fitonte këtë ndeshje. Ky është një turp i madh që ndodh vetëm në futbollin shqiptar. Le të hapin rregulloren, të shohin të gjitha letrat dhe më pas të na tregojnë se ku kanë të drejtë. Kjo është e pamundur. Çfarë të themi më shumë? Gjithsesi, do të ndjekim të gjitha hapat e duhura dhe rrugën ligjore duke besuar tek e drejta, pasi kështu nuk vijohet në asnjë mënyrë.