Selimi: FSK me standarde të NATO’s

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Sylejaman Selimi, në një intervistë për “Epoka e Re”, ka thënë se kjo forcë deri në fund të këtij viti do t’i arrijë kapacitetet e plota operacionale. Ai ka deklaruar se FSK’ja do të jetë një forcë moderne profesionale sipas standardeve të NATO-s.
Selimi ka treguar se në fund të muajit shtator FSK-ja do të ketë ushtrimin fushor “Luani i shkathtë 4”, ku së bashku me KFOR’in do të vlerësohen kapacitetet dhe të arriturat e saj.
“Që nga koha e themelimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) vlerësohet se ka arritur rezultate evidente. Puna e jonë e deritanishme është mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare dhe në koordinim të plotë me Qeverinë e Republikës së Kosovës, Presidencën, Kuvendin e Kosovës dhe Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrje të FSK-së”, ka thënë Selimi.
Gjenerali thotë se FSK është trajnuar me një program të NATO-s nga KFOR-i që nga viti 2009. “Tani po punohet për arritjen e kapaciteteve të plota operacionale dhe jemi në rrugë të mirë. Presim që deri në fund të këtij viti t’i arrijmë kapacitetet e plota, që me pastaj do të deklarohen nga NATO-ja. Jemi të përkushtuar të ndërtojmë një forcë moderne e profesionale të sigurisë, të trajnuar mirë dhe me pajisje e infrastrukturë sipas standardeve të Aleancës Veri-Atlantike”, ka thënë Selimi.
Selimi po ashtu ka folur edhe për armatosjen e FSK, ku ka thënë se ata janë në procedurë të blerjes së armëve të gjata. “Gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti kemi bërë prokurimin dhe blerjen e armëve të gjata, pistoletave dhe municionit. Të gjitha këtyre pajisjeve i kemi kushtuar rëndësi që të jenë sipas standardeve të NATO-s. FSK-ja mund të pajiset me çdo lloj armësh që janë të parapara në Ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës”.
Ndërkaq me pyetjen se kur FSK mund të cilësohet ushtri e Kosovës, Selimi ka thënë se është duke u punuar shumë në plotësimin e standardeve me personel, infrastrukturë, pajisje dhe me legjislacion të nevojshëm.
“Në këtë mënyrë do të arrihen të përmbushen obligimet kushtetuese e ligjore para institucioneve dhe qytetarëve tanë. Me arritjen e kapaciteteve të plota operacionale do të jemi të gatshëm ta rishikojmë misionin e FSK-së, mirëpo të ardhmen e FSK do ta definojë Qeveria e Kosovës, pra vetë përfaqësuesit më të lartë të shtetit”.