Wikileaks: Jahjaga, ndër 5 gratë më të pushtetshme në Kosovë
PRISHTINE - Presidentja Atifete Jahjaga ka qenë njëra prej grave më të fuqishme edhe para 4 vjetësh në Kosovë. Kjo u bë e ditur nga publikimi i kabllogrameve të ambasadës amerikane nga 'Wikileaks'. Në korrespodencën e ish-ambasadores Tina Kaidanov me Departamentin Amerikan të Shtetit thuhet, se zyrtarja politike e ambasadës amerikane në Prishtinë për çështjet e grave, Heidi Barrachina, ka identifikuar pesë gratë me më ndikim në Kosovë dhe tri gratë e Kosovës, të cilat kanë ndikim më së shumti në popullsinë minoritare. Flaka Surroi paraqitet e para në listën e amerikanëve si gruaja më e fuqishme në Kosovë, drejtoreshë e Grupit 'Koha', kompania që boton gazetën "Koha Ditore". Jeta Xharra, drejtoresha e BIRN, cilësohet si femra e dytë më e fuqishme në Kosovë, ndërsa Pranvera Dobruna, drejtoreshë e Korporatës Energjetike të Kosovës; Atifete Jahjaga, tashmë presidente e Kosovës, si dhe Mimoza Kusari-Lila, aktualisht ministre e Tregtisë, konsiderohen gjithashtu si gra tepër të pushtetshme.
(s.g/GSH/balkanweb)
(s.g/GSH/balkanweb)