E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selimi: Kërcënimi ndaj EULEX-it, paradoks

Kërcënimi i veteranëve të luftës së UÇK-së me destabilizim të situatës në vend, pas arrestimeve të fundit të “Eprorëve të lartë nga Drenica”, për ish guerilët e UÇK-së është paradoksale. Kjo për faktin se siç shprehen ata, nuk mund të kërcënojnë ata që tashmë vetë janë të kërcenuar.

E, një mendim tjetër kanë shfaqur liderët politikë serbë në Kosovë, të cilët nuk shohin ndonjë rrezik për destabilizim të situatës në vend.

Deputeti nga radhët e PDK-së Behar Selimi, ka thënë se veteranët e UÇK-së asnjhëherë nuk do ta rrezikonin stabilitetin e vendit për arsyen e thjeshtë se “ata kanë kontribuar shumë për vendin”, shkruan Zëri.

“Unë besoj shumë në pjekurinë e tyre dhe në përkushtimin e tyre për stabilitetin në vend”, ka thënë Selimi.

Ai ka thënë se çështja e mandatit të EULEX-it është çështje madhore e lidershipit politik në vend. “Sidoqoftë Eulex do të duhej të ndryshonte qasjen”, ka shtuar Selimi.

Ai e ka porositur EULEX-in që të mos bazohet në trashëgiminë profesionale të UNMIK-ut.

Rexhep Selimi nga “Vetëvendosje”, dhe njëheresh njëri ndër ushtarët e parë të UÇK-së, ka thënë se në këtë mandat nuk do të duhej të kishte fare EULEX. Sipas tij, më së paku duhet të ankohen ata të cilët dikur e kanë mbrojtur këtë mandat kur “Vetëvendosje” e ka kundërshtuar.

“Këtë e them për kolegët e mi veteranë të cilët janë deputetë në kuvend dhe ministra në qeveri të cilët kohëve të fundit ankohen në EULEX”, ka thënë Selimi.

Sa i përket kërcenimit të veteranëve, sipas Selimitm nuk do të duhej të kërcënojë askush tani nga ata që më shumë se kurrë janë të kërcënuar.

“Eulex po bënë një gjueti të padrejtë ndaj UÇK-së, kjo për shkak se Sami Lushtaku nuk po ndiqet si kryetar komune, por po ndiqet si komandant i Zonës ooperative të Drenicës. Nuk po akuzohet Sylejman Selimi si ambasador apo komandant i TMK-së, FSK-së, por po akuzohet si komandant i UÇK-së, dhe duke ditur që akuzat vihen mbi komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, atëherë janë të etiketuar strukturat e UÇK-së”, ka thënë Selimi./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›