E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sellers dhe Wertmuller, Tirana korrigjon gabimet e regjimit

Zbulimi/TIFF i projekton pas gjysmë shekulli Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit nxjerr dy perla të kinemasë botërore që janë zhdukur nga qarkullimi. “Zoti Topaz” i vetmi film i aktorit gjenial Peter Sellers i cili kishte urdhëruar ta asgjësonin. Dhe filmi i parë i Nina Wertmuller, “Bazilikët” që edhe pse i vitit 1963 u ble nga shteti shqiptar më 1981. Duhej për propagandë por nuk u shfaq kurrë: merrej me tabutë e seksit dhe fesë.

TIFF po korrigjon gabimet. Prezantimin e rrallë në publik të dy filmave të kinemasë botërore nga Peter Sellers dhe Lina Wertmuller, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër në Tiranë e quan “korrigjim i gabimeve”. “Zoti Topaz” i Sellersit, shfaqet sonte në Imperial, dhe “Lugatët” e Wertmuller, shfaqet nesër, u blenë nga regjimi dhe u ndaluan. Programuesi i TIFF-it, Tomas Logoreci, kur kishte ndeshur në listën e filmave të huaj të para dhe pas Luftës së dytë botërore që ndodhen në Arkivin Shtetëror Shqiptar të Filmit, kishte pyetur me habi vetense siishte e mundur të fshiheshin në këtë cep të botës dy vepra me histori të rrallë që sot janë zhdukur nga qarkullimi, nuk i gjen më as në DVD, as në TV apo salla kinemaje.

E pamundur kishte thënë, kur lexoi “Mr. Topaze” ose “Unë i dua paratë” (1961) i Peter Sellers, të cilin si gjithë bota e kinemasë e njihte nga koha e artë e viteve 60 kur u bë shumë i njohur me “Dr. Strangelove” e Stanley Kubrickut. “I marrë dhe maniak depresiv urdhëroi që të ktheheshin mbrapsht të gjitha kopjet e filmit dhe të digjeshin”, thotë Logoreci. “Në Amerikë dhë në Angli filmi nuk u shfaq kurrë në TV, nuk u shfaq kurrë as në kinema, as biografi i Sellersit, i cili shënon se po shkruante për filmin pa e parë.”

Edhe Tomasi kishte lexuar shumë për filmin e vetëm që krijoi aktori komik britanik.

Thuhetse filmi është shfaqur në Tiranë në vitet gjashtëdhjetë dhe është harruar përgjithmonë në fondet e Arkivit. Sipas programuesit tonë, një nga arsyet që ky film është importuar nga regjimi i Enver Hoxhës është ideologjike sepse “Sellers tallet me sistemin francez të shkollës. Dhe Hoxha ishte frankofil. Kisha lexuar shumë për “Mr. Topaze që cilësohet një nga filmat e mëdhenj të humbur, dhe kur për herë të parë pashë projeksionin nga kopja e arkivit shqiptar, mbeta i shtangur.” Gjendja e filmit nuk është shumë e mirë. Ka qenë një film komik me ekran të gjerë që fatkeqësisht është ngushtuar dhe portretet e personazheve janë të zgjatuara, ndërsa ngjyrat janë bardhë e zi. Nuk mund të thuhet asgjë e saktë nëse filmi i Sellersit është prekur nga censura apo, të paktën jo deri atëherë sa të krahasohet me një variant origjinal që vështirë të gjendet. Tomasi mendon se “duhet të ketë me siguri një kopje në arkivin anglez, ndoshta edhe familja e tij ka një kopje. Por ai vetë ka dashur dhe është shprehur që këtë film nuk duhet ta shohë askush. Nuk ishte i kënaqur me xhirimin, nuk ishte aq perfekt sa donte. Ky është filmi i vetëm që Sellers ka xhiruar dhe për adhuruesit e kinemasë do të ishte si një graal i shenjtë.”

Me shumë vështirësi filmi do të shfaqej në SHBA në vitin 1962.

Kështu bëhet edhe më e rrallë kopja e dëmtuar shqiptare e cila projektohet sonte në orën 20.30 në kinema Imperial.

Filmi tjetër, ai i Lina Wertmuller (1928), “I Basilischi” (“Lugatët”) erdhi në Shqipëri në një situatë të nderë politike, në vitin 1981, pas vrasjes së kryeministrit të qeverisjes social-komuniste, Mehmet Shehu. Po ç’lidhje ka me një krim politik në Shqipëri ky film i parë i të parës regjisore femër e nominuar për Oscar dhe me famë ndërkombëtare e papërsëritur nga ndonjë tjetër pas saj?

Duke iu referuar shënimeve në pasaportën shqiptare që “Bazilikët” mban në arkivin tonë, dhe mbi të gjitha fakti që po importohej një film gati 20 vjet pas prodhimit të tij, e nxisin Logorecin të bëjë një lexim klasik politik të fabulës. “Shënimet na tregojnë që Ëertmuller ishte një marksiste italiane me famë. Prandaj besoj se ka qenë me vlerë që të shfaqej ky film nga pikëpamja ideologjike. Por 10 minuta pasi filmi ka filluar, ti kupton pse nuk mund të shfaqej në Shqipëri. Ëertmuller është vërtet marksiste por një marksiste liberale dhe dialogu i saj për seksin dhe religjionin janë të pabesueshëm. Përfytyroni të shfaqeshin këto në Shqipërinë e vitit 1981. Kështu filmi u ble dhe u fut në fond i pasubtitruar. Nuk u shfaq kurrë. Regjimi kishte për qëllim të tregonte dhe propagandonte një Perëndim të keq, të korruptuar. Në Kubë ka ndodhur e njëjta gjë.Bliheshin filma amerikanë për të treguar krimet në Amerikë.”

Autorja e “Dashuri dhe anarki”, “Shtatë bukuritë”, “Swept away” etj, e realizoi veprën e saj të parë filmike pasi kishte pasur një përvojë të jashtëzakontë si asistent regjisore e Fellinit në filmin “8 e ½” dhe ishte Fellini që e ndihmoi edhe financiarisht që të bënte këtë film. Tek “I Basilischi” pati për drejtor fotografie Gianni di Venanzon, ai që kishte punuar tek “8 e ½” dhe në disa filma të tjerë të regjisorit italian.

Nesër në mbrëmje edhe ky xhevahir i historisë së kinemasë që nuk ka ku të shihet më, do të shfaqet në kinema Imperial, në orën 18.30.

Duke e krahasuar me filmat e saj të mëvonshëm, Tomasit i duket se me kalimin e kohës Wertmuller nisi të bëhej pak si Fellini, po humbiste disi ndjeshmërinë ndaj gjërave të vogla. “Është një film i ndershëm, i sinqertë. Pastaj publiku shqiptar mund të gjejë një mentalitet të ngjashëm me të vetin. Po mund të pëlqehet ngaqë ka një influencë nga “8 e ½” të cilin kineastët shqiptarë e pëlqejnë shumë.”

Me zbulime të vlerave si këto, një festival i vogël mund të bëhet i madh dhe pasuritë arkivore që mendohen ca arka dhe rafte të mykura mund të shndërrohen në një vepër arti më vete që rrok kohë dhe hapësira të paimagjinueshme si në filmat që do të shohim sot dhe nesër. Dhe lavdi Zotit nuk lypin shumë para.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›