E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fabregas dhe Ager, objektivat e Milanit

Kuqezinjtë "peshkojnë" në Premier Ligë mesfushorin e Arsenalit dhe mbrojtësin e Liverpulit

Milani dhe Daniel Ager gjithmonë dhe më afër. Në bazë të lajmeve që vijnë nga shtypi anglez, lojtari i kombëtares daneze, të cilit i skadon kontrata në vitin 2010, i ka dyfishuar kërkesat ndaj Liverpulit, duke pretenduar një marrëveshje të re mbi bazën e 3,5 milionë eurove në sezon. Benitez, që e cilëson lojtarin një mbrojtës të domosdoshëm për ekipin e tij, ka ndërhyrë me tenativën për ta zhbllokuar marrëveshjen për rinovimin, por nuk ka marrë rezultate pozitive. Pra, për momentin, midis kërkesës së mbrojtësit dhe Liverpulit diferenca mbetet e konsiderueshme. Kjo favorizon futjen në mes të klubit kuqezi, që tani është i gatshëm ta kënaqë 24-vjeçarin. Ndërkohë, objektivi numër një i Milanit për sezonin e ardhshëm është Sesk Fabregas. Mesfushori 21-vjeçar, pavarësisht se është rritur në detyrë nga Vengeri, duke marrë gradat e kapitenit, duket se është gjithmonë edhe më i bindur për t'u larguar nga Arsenali në fund të këtij sezoni. I pakënaqur me projektet afatgjata të topçinjve, spanjolli po mendon ta braktisë Anglinë. Milani e ka bërë hapin e parë, por duhet të mposhtë konkurrencën e Barcelonës. Një kontakt i parë midis drejtuesve kuqezinj dhe përfaqësuesve të lojtarit ka ndodhur. Fabregasit do t'i pëlqente shumë një transferim në Milano, por është i tunduar nga një rikthim në Barcelonë, e cila ka dëshirë të ndërtojë te katalanasit mesfushën e jashtëzakonshme të kombëtares spanjolle me Ksavin dhe Iniestën. Ndërsa te Milani është Sedorfi lojtari më i mundshëm për t'ia lënë vendin kapitenit të Arsenalit (në rast se ky zgjedh kuqezinjtë). Holandezi javën e kaluar ka pranuar se është i tunduar nga një kalim në Premier Ligë. I njëjti kampionat, ku Milani do të donte të peshkonte trashëgimtarin e njërit prej lojtarëve më të fortë të të gjitha sukseseve të arritura kohët e fundit nga kuqezinjtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›