E Diel, 1 Nëntor 2026

Sëlltiku befason Barçën, Çelsi fitore në shtesë

Sëlltiku i Glazgout ka shkaktuar surprizën më të madhe të mbrëmjes së djeshme në Champions League, duke mundur 2-1 Barcelonën në ndeshjen e vlefshme për grupin G. 

Në Skoci, katalanasit kanë pësuar humbjen e parë sezonale, ndaj një ekipi që është mbrojtur për 90 minuta, duke qëndruar me fanatizëm në zonën e rreptësisë dhe duke goditur në të vetmet shanse që kishte. Uanijama, lojtari i kërkuar nga disa prej klubeve më të mëdha të Evropës, kaloi Sëlltikun në avantazh në minutën e 21-të, pas një goditje këndi, ku ai fitoi duelin me Zhordi Albën. Në pjesën e parë, Mesi e Sançez goditën shtyllën, ndërsa në të dytën, mbrojtja e Sëlltik u bë akoma më stoike ndaj yjeve katalanas. Vat gjeti golin e dytë 7 minuta para fundit, duke shokuar Barçën, ndërsa Mesi realizoi golin e nderit në çastet e fundit. 

Ndërkohë, një superndeshje është zhvilluar në “Stemford Brixh”, aty ku Çelsi ka mundur në sekondat e fundit Shaktjor Donjeck, në shifrat 3-2. Torres kaloi në avantazh blutë e Londrës, pas gafës së portierit Piatov, ndërsa Uilian barazoi gjithçka pas vetëm 4 minutash. Ishte Oskar që kaloi sërish Çelsin në avantazh, me një gol thuajse nga mesfusha, por në startin e pjesës së dytë, Uilian barazoi sërish. Përpjekjet e kampionëve të Evropës u konkretizuan në minutën e 94-t, kur pas një goditje këndi, Moses i sapofutur shënoi me kokë. 

Ndërkaq, ka ardhur fitorja e parë edhe për Juventusin, që mundi 4-0 Norsdjaelland, në një sfidë pa shumë histori. Markizio, Vidal, Xhovinko e Kualjarela realizuan për bardhezinjtë, që gjithsesi mbeten në vendin e tretë, me 6 pikë, kundrejt 7 që kanë Çelsi e Shaktjor. 

Në grupin F, Bajerni shkatërroi 6-1 Lilën, duke marrë i vetëm vendin e parë, ndërkohë që Valencia theu 4-2 Bate Borisov dhe qëndron në kuotë të barabartë pikësh me bavarezët. Një fitore të madhe arriti dhe Mançester Junajtid, që mundi 3-1 Bragën dhe u kualifikua për në turin tjetër. Benfika mundi 2-0 Spartakun, ndërsa Gallatasaraji fitoi 3-1 në transfertë ndaj Kluzh.

Dinamo K.-Porto 0-0
PSG-Dinamo Z. 4-0
Shalke-Arsenal 2-2
Olimpiakos-Montpelje 3-1
Milan-Malaga 1-1
Anderleht-Zenit 1-0
Man.Siti-Ajaks 2-2
Real-Borusia 2-2
Dje
Juve-Norsdjaelland 4-0
Çelsi-Shaktjor 3-2
Bajern-Lilë 6-1
Valencia-Bate 4-2
Benfika-Spartak 2-0
Sëlltik-Barcelona 2-1
Braga-Man.UTD 1-3
Kluzh-Gallatasaraj 1-3

(a.k/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›