Selman Riza "Nderi i Kombit"
Në kuadrin e "Ditëve të Albanologjisë", është mbajtur dje ceremonia e dhënies së titullit "Nderi i Kombit" (pas vdekjes) për gjuhëtarin dhe albanologun Selman Riza.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi e dha këtë titull me motivacionin: "Shkencëtarit të shquar, që me veprën e tij krijoi një thesar të çmuar në fushën e gjuhësisë dhe arsimit shqiptar, personalitetit të spikatur, me kontribut shumë të rëndësishëm në zhvillimin e albanologjisë".
Presidenti ia dorëzoi Urdhrin e lartë dhe dekretin përkatës familjarëve të Selman Rizës, në emër të të cilëve përshëndeti i biri, Prof. Emin Riza: "Më lejoni zoti President, që në emër të familjarëve, të afërmëve dhe njohësve të veprës së Selman Rizës, t'ju shpreh nderimet e sinqerta për vlerësimin e veprimtarisë së tij disa rrafshëse!
Ky vlerësim vjen natyrshëm në kuadrin e ri politiko-shoqëror të Shqipërisë, e cila thuajse njëzëri hodhi poshtë përgjithmonë çnjerëzinë e bolshevizmit të skajmë, apo enverizmit.", tha në fjalën falënderuese prof. Riza.
"Veprimtaritë e gjera në Kosovë, me ndihmesën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës e të Komunës së Gjakovë, të cilat krahas kujdesit për rivarrimin e eshtrave të Selman Rizës në vendlindje, ngritjes së bustit në qendër të Gjakovës dhe dekorimit me Medaljen e Artë të Lirisë prej Presidentit të Kosovës, zotit Fatmir Sejdiu, u shoqërua me botime të rëndësishme...
Dhënia e titullit "Nderi i Kombit", prej Presidentit të Shqipërisë, zotit Bamir Topi, në kuadër të Simpoziumit "Selman Riza, gjuhëtar dhe atdhetar i shquar", me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij, përmbyll denjësisht këtë përvjetor, duke i hapur rrugën njohjes më të gjerë dhe të gjithëhershme të veprës së Selman Rizës për kombin, gjuhën shqipe dhe mendimin e lirë."
Të pranishëm ishin Kryetari i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Prof. Gudar Beqiraj, Nënkryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Prof. Besim Bokshi, rektorë dhe dekanë të universiteteve, albanologë dhe gjuhëtarë.
"Ditët e Albanologjisë" që organizohen nga Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë, vazhdon sot dhe nesër me prezantimin e disa botimeve në fushën e albanologjisë, e ekspozitës "Thesaret e kulturës materiale shqiptare", me sesionin shkencor "Vepra Postum e Nikollë Dakajt", me prezantimin e veprës së plotë të Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit.