Këshilli Kombëtar, Berisha fut në listë këshilltarët e tij
Në listë përfshihet Biberaj e Mustafaj, por jo Zogaj e Cikuli. Nga 400 kandidatura vetëm një i burgosur politik
TIRANË - Plot 400 kandidatura u janë servirur dje 1260 delegatëve në punimet e Kuvendit të Partisë Demokratike për të votuar 100 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, ndërsa 35 të tjerë do të jenë të kooptuar.
Lista e re e Këshillit Kombëtar pritet që të bëhet publike brenda tre ditësh, ndërkohe që përbërja e re pritet që të sjellë edhe surpriza.
Në listën e djeshme të kandidaturave për Këshill Kombëtar janë përfshirë thuajse të gjithë këshilltarët e kryeministrit të vendit, Sali Berisha, shumica prej tyre pa asnjë kontribut në aktivitetin politik të Partisë Demokratike.
Lista e gjatë e kandidatëve fillon me Admir Dragon këshilltar i kryeministrit për të vijuar më pas me të tjerë emra këshilltarësh si Adriana Cela, Glori Hysi, Migena Bakalli, Mirela Tabaku, Petraq Milo, Zuzana Guxholli. Listën e kandidaturave të këshilltarëve e përmbyll Ylli Asllani ndër të paktët këshilltarë me kontribut në Partinë Demokratike.
Në listën e kandidaturave shihen edhe mjaft emra zv.ministrash, dikur këshilltarë të kryeministrit Berisha, ndërsa nuk kanë fund kandidaturat me funksione drejtore e drejtorë drejtorish në administratën e shtetit.
Në listën e kandidaturave për Këshill Kombëtar janë përfshire edhe zërat kundër në PD, si Aleksandër Biberaj apo Besnik Mustafaj. Por, në këtë listë mungon emri i Preç Zogajt, i cili në zgjedhjet e 28 Qershorit garoi për një tjetër parti, ashtu si edhe emri i ish-Ministrit të Shëndetësisë, Maksim Cikuli, aktualisht këshilltar i Presidentit të Republikës.
Në këtë listë radhiten formalisht edhe ish-deputetë, (përveç Sali Shehut) që kundërshtuan disa projekte te qeverisë dhe që shpesh herë u etiketuan si mbështetës të Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Në listën e kandidaturave për anëtarë të Këshillit Kombëtar janë përfshire edhe emrat e ministrave aktuale, deri edhe Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera.
Edhe pse e trumbetuar si një parti që mbron interesat e ish-të përndjekurve politik, në listë në fakt ka vetëm një të tillë, Eduart Ypi, ku përkrah emrit shkruhet se ka qenë ish-i burgosur politik dhe që aktualisht është Drejtor në Ministrinë e Financave. Në listë janë përfshire edhe emrat e drejtuesve të ish-Partisë Demokrate të re, Genc Pollo, Tritan Shehu dhe Enno Bozdo. Listës së kandidaturave i bashkëngjitet edhe emri i këngëtares, Çiljeta Xhilaga.
Në bazë të statutit të miratuar dje në Kuvend, Këshilli Kombëtar ndër të tjera zgjedh dhe shkarkon ndërmjet anëtarëve të rinj të dalë nga Kuvendi, me votim të fshehtë: Sekretarin e Përgjithshëm dhe sekretarët funksionale; nënkryetarët e partisë; komisionin qendror të apelimit dhe kryetarin e Bordit financiar të partisë.