PS: Familja e Berishës po zapton bregdetin
PS vazhdon në seri akuzat ndaj familjes së Kryeministrit për pronat në bregdet. Duke marrë shkas nga ngjarja e Orikumit, dje selia rozë është renditur në anën e protestuesve, duke akuzuar familjen kryeministrore. Deputeti socialist, Saimir Tahiri, akuzoi familjen kryeministrore se ka ngritur një rrjet mafioz që po zapton pronat në bregdet. "Rahmani i Shkëlzenit të Saliut, ka vjedhur tokat e banorëve të Orikumit dhe ka përdorur pushtetin e kryetarit të familjes për të siguruar të drejtën e investimit, duke shtypur me dhunë protestën e tyre të ligjshme nëpërmjet Policisë së Shtetit. Rahman Selmanllari është njeriu që hodhi firmën me porosi e për llogari të Shkëlzen Berishës, si përfaqësues i firmës fantazmë që bleu fishekët nga punishtja famëkeqe e Gërdecit", deklaroi deputeti i PS-së. Sipas Tahirit, familja e Kryeministrit është e dyshuar për përfshirjen e saj në të gjitha aferat korruptive që lidhin interesat e errëta të botës së krimit me qeverinë në pushtet dhe vetë babain e familjes. "Argita në Gjirin e Lalzit dhe Porto Romano, Jamarbër Malltezi, i shoqi i Argita Berishës dhe dhëndri i Sali Berishës, në Jalë e pothuajse gjithë bregdetin e Jugut, dhe së fundmi Rrahmani i Shkëlzenit të Saliut në Orikum, janë dëshmi të mjaftueshme për të kuptuar se Sali Berisha dhe familja e tij po grabisin dita-ditës Shqipërinë dhe shqiptarët, si kurrë s`ka ndodhur më parë në këtë vend", tha më tej Tahiri. Pavarësisht kësaj, ai siguroi se PS nuk do të lejojë grabitjen e pronave në bregdet. Socialistët i kërkojnë prokurorisë të nisë hetimin lidhur me këtë skandal dhe të vendosë para drejtësisë përgjegjësit.