Selmanllari e ka parablerë tokën për të “garantuar” të drejtat e pronarëve mbi tëNga Tema Rrahman Selmanllari, miku më i afërt i Shkëlzen Berishës, deklaroi dje se ai e ka blerë pronën në Orikum me një çmim prej 10 eurosh metri katror. Ai s
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Selmanllari e ka parablerë tokën për të “garantuar” të drejtat e pronarëve mbi tëNga TemaRrahman Selmanllari, miku më i afërt i Shkëlzen Berishës, deklaroi dje se ai e ka blerë pronën në Orikum me një çmim prej 10 eurosh metri katror. Ai shtoi se madje i ka paguar pronarët e tokës me apartamente në Tiranë.
“Pa dashur të polemizoj me mediet në fjalë, dua të sqaroj publikun se unë, njëlloj si pronarët e medieve që më sulmojnë, kam blerë tokë të certifikuar si të lirë e të rregullt në Hipotekë, e për të cilën brenda ligjit kam paguar paratë, si dhe kam lëshuar apartamente në Tiranë në përfitim të pronarëve të tokës”, - tha dje Selmanllari.
Por një kontratë e vitit 2007 (Faksimile 1) tregon shumë qartë se Selmanllari e ka parablerë pronën, duke u bërë kështu garancia e pronarëve se ata do fitojnë pronësinë e plotë falë “mbështetjes” që do u japë ai.
Gjithçka është e saktësuar në kontratë, kur thuhet se ende nuk kanë përfunduar procedurat për ta quajtur pronën të ligjshme. Këto i merr përsipër Rafi, që ka nën kontrollin e tij, d.m.th., të Shkëlzenit, institucionet që garantojnë kthimin dhe legjitimimin e pronës.
Është qartësisht skema që kishte paralajmëruar gazeta “TemA” dhe “Faktori Plus” një ditë më parë, kur theksonin se pronarëve të ligjshëm u duhet të kenë një sekser të fuqishëm në mes për të garantuar kthimin e pronës.
Shkëlzen Berisha dhe Rrahman Selmanllari kanë marrë përsipër rolin e sekserit
Selmanllari: Do padis mediet
Miku i Shkëlzen Berishës sulmoi dje mediet duke i quajtur të financuara nga opozita dhe tha se do i hedhë në gjyq ato.
“Sot në disa të përditshme të kontrolluara dhe financuara nga opozita u publikuan disa shpifje, sipas të cilave Rrahman Selmanllari ka vjedhur, zaptuar apo zbuar njerëz nga tokat e tyre. Toka që unë kam blerë brenda të gjitha rregullave është e ndarë dhe e përcaktuar me kufij të qartë nga pronat e pronarëve të tjerë në zonë. Ndryshe nga sa pretendohet, unë nuk kam ndërtuar asnjë metër katror në Orikum, por njëlloj si shumë pronarë të tjerë ia kam dhënë pronën e blerë me përqindje një kompanie të njohur ndërtimi.
Që nga momenti që unë e kam blerë pronën në fjalë e deri tani, aty ku ka përfunduar ndërtimi (i referohem pronës time), askush nuk më ka kontaktuar apo ngritur pretendimin, as në rruge ligjore e as në forma të tjera, qoftë dhe për një metër katror të pronës që unë zotëroj.
Nëse ju si medie gjeni qoftë dhe një person që pretendon se ka qoftë dhe një centimetër tokë në përdorim brenda pronës time, unë jam i gatshëm të
ballafaqohem me të me letra dhe dokumente. Qëllimi dhe dëshira për të përfshirë emrin dhe pronën time në një histori konflikti, ndërkohë që ajo zhvillohet jashtë tokës dhe interesave të mia, janë dhe mbeten manovra politike të medieve mercenare, pronarët e të cilave janë në fakt zotëruesit më të mëdhenj të pronës në bregdet!
Gjithashtu ju bëj me dije se ditën e hënë do të bëj një padi në Gjykatë për këtë problem”, - thuhet në deklaratën e Selmanllarit.
Shkëlzen Berisha rolin e sekserit e ka zanat zyrtar
Sivjet në deklaratat e pasurive të zyrtarëve të shtetit janë shtuar dhe fëmijët e të afërmit që mund të ndikojnë në pasurinë e tyre. Por fëmijët e kryeministrit, Sali Berisha, kanë bërë dhe deklarime të mëparshme, kështu që kësaj here dhe ai ka deklaruar se ç’ka shtuar në pasurinë e tij brenda një viti.
Shkëlzen Berisha ka deklaruar se ka një llogari rrjedhëse në bankën Intesa SanPaolo, ku janë në gjendje aktuale 84.659 euro. Vetëm vitin që shkoi, Shkëlzeni ka shtuar në këtë llogari 82.882 euro. Më vonë ka tërhequr prej saj 7.750 euro.
Ai ka deklaruar gjithashtu se ka një llogari në bankën e familjes së tij, Credins, me gjendje 460.497 lekë, të cilat deklaron se i ka akumuluar, kur punonte si drejtor juridik pranë Eagle Mobile.
Shkëlzen Berisha deklaron se ka gjithashtu një tjetër llogari rrjedhëse me 6.000 euro në total, ku janë shtuar në vitin 2008 5.000 euro, e janë pakësuar 1.000 të tilla.
Djali i kryeministrit deklaron se ka një fitim neto nga puna e tij prej 6.930 eurosh.
Megjithatë, pavarësisht se ka një rrogë të tillë, djali i kryeministrit ka deklaruar se shumat e mëdha që ka në llogaritë e tij i ka fituar falë ndërmjetësimeve.
Në vitin 2008, duke punuar si sekser, ai thotë se ka fituar 82.882 euro. Ai deklaron se ka bërë ndërmjetësim në shitblerje. Gjithashtu, duke bërë të tilla ndërmjetësime, ai ka fituar edhe 6.930 euro, që i bie të jetë sa paga e tij si konsulent.
Djali i Berishës është akuzuar e për të janë botuar të dhëna të forta që e lidhin me ndërmjetësimin për kontratën e Gërdecit, por dhe me të tjera ndërmjetësime, kryesisht në shitblerje pasurish të patundshme. Berisha i vogël është një nga njerëzit më me influencë në agjencitë që janë marrë me kthimin e kompensimin e pronave.