E Diel, 1 Nëntor 2026

Statusi, Merkel siguron Berishën: Brenda nëntorit votojmë Shqipërinë



Gjermania përmes Kancelares së saporizgjedhur Angela Merkel siguron Kryeministrin Sali Berisha se brenda nëntorit do të shqyrtohet statusi i Shqipërisë për vendin kandidat për në BE. Gjatë takimit të zhvilluar në Bruksel, Kancelarja Merkel garantoi Kryeministrin tonë se Gjermania do të bëjë të gjitha përpjekjet për zgjidhjen më të shpejtë të mundshme të problemit teknik lidhur me konstituimin e Parlamentit gjerman. Kryeministri Berisha mori pjesë në punimet e samitit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të Partive Popullore Evropiane (EPP), që u zhvillua në Bruksel. Gjatë punimeve të këtij samiti, Kryeministri Berisha zhvilloi takime me shumë nga personalitetet e pranishme, ndër të cilat edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel. Pas takimit, Kryeministri Berisha u shpreh për mediat: “Ky ishte një samit i mrekullueshëm, në të cilin u diskutua gjerësisht për samitin e Kopenhagenit dhe për Traktatin e Lisbonës. Në këtë samit, unë pata rastin të takohesha dhe të bisedoja me shumicën dërmuese të të pranishmëve. Interesi im më i madh ishte që të takohesha dhe të bisedoja me Kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila më premtoi se problemi teknik për konstituimin e Parlamentit gjerman do të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur”, - deklaroi z. Berisha. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese gjermane ka vendosur që duhet ta konstituojë Parlamentin para çdo vendimi që ka të bëjë më Bashkimin Evropian. “Kështu që, - shtoi Berisha - pasi e urova Kancelaren Merkel për fitoren e madhe dhe historike, për mbarë Evropën, në zgjedhjet e shtatorit, i bëra të ditur problemin se Shqipëria është në pritje të këtij momenti dhe se Presidenca suedeze pret që të ketë dritën jeshile nga qeveria gjermane, në mënyrë që të diskutojë në Këshill statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, pasi vendet e tjera nuk kanë ndonjë rezervë. Kancelarja Merkel më informoi se dje ishte mbledhur Parlamenti dhe në ditët apo javët në vazhdim do të vazhdojë konstituimi. Ajo më siguroi se do të bëjnë çdo gjë për ta realizuar këtë në kohën më të shkurtër të mundshme. Këto ishin fjalët me të cilat unë u ndava me Kancelaren e Gjermanisë znj. Angela Merkel, për të cilat duhet ta falënderoj me shumë mirënjohje.

Natyrisht, gjatë qëndrimit në Samitin e Partive Popullore Evropiane pata takime të shumta, por dua të theksoj një moment që u prit me duartrokitje të mëdha, fakti i fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit, sepse ky ishte samiti i parë që unë merrja pjesë pas fitores”, - u shpreh Kryeministri Berisha. Kryeministri i vendit ndihet optimist edhe për çështjen e liberalizimit të vizave. Ai vuri në dukje: “Vizat janë në një proces ecurie normale. Premtimi imi është për liberalizimin e tyre në vitin e parë të këtij mandati dhe ne po plotësojmë kërkesat. Unë nuk shoh asnjë lloj problemi përveç faktit që ne duhet të plotësojmë me seriozitetin më të madh çdo kërkesë që shtrohen nga udhërrëfyesi për heqjen e vizave”.

Frattini, Berishës: Statusi, së shpejti diskutimi në KE

Në Bruksel, Kryeministri Sali Berisha mori edhe konfirmimin e ministrit të Jashtëm italian, Franco Frattini, për shqyrtimin sa më parë të kërkesës nga Komisioni Evropian. Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini, konfirmoi se kërkesa e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të diskutohet në muajin nëntor. Ai bëri të ditur se këtë mesazh ia kishte përcjellë edhe Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. “Edhe Kryeministrit Berisha i konfirmova se po këmbëngulim që aplikimi i Shqipërisë të shqyrtohet sa më parë nga Komisioni Evropian. Besoj se në nëntor kërkesa do të shqyrtohet”, - tha Frattini. Ministri i Jashtëm italian, duke komentuar kundërshtimin e Gjermanisë pohoi se nuk është folur për vendim politik, por për një çështje teknike, sepse në parim nuk janë shfaqur kontradikta.

Bojkoti, Berisha: Opozita gjeti momentin e gabuar

Për Kryeministrin Sali Berisha, bojkoti që opozita po i bën Parlamentit, po zhvillohet në momentet më të papërshtatshme për Shqipërinë që synon integrimin në BE. Deklarata e kreut të qeverisë u bë në një konferencë për shtyp, pas pjesëmarrjes së tij në punimet e samitit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të Partive Popullore Evropiane (EPP), që u zhvillua në Bruksel. I pyetur nëse bojkoti i opozitës do të zbehë kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, Kryeministri Berisha u shpreh se vendimi i socialistëve nuk është aspak ligjor. “Bojkoti i opozitës është në një moment shumë të papërshtatshëm për vetë pamjen e vendit, por duke qenë një akt pa asnjë arsye ligjore nuk mund të bllokojë proceset që janë të një rëndësie kapitale për vendin”, - deklaroi z. Berisha. Kryeministri i bëri sërish thirrje opozitës që të kthehet në Parlament dhe të kontribuojë për integrimin e vendit. “Natyrisht, - tha Berisha, - shpresojmë që ftesat e përsëritura të mia ndaj opozitës të shqyrtohen seriozisht dhe ai të pranojë që partia e tij të vazhdojë bashkëpunimin në interesin më të mirë të forcave tona politike, por edhe në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë”.

Presidenti hungarez: Verën e 2010-s heqim vizat me shqiptarët

Hungaria shpreh besimin se nëse Shqipëria vazhdon me të njëjtat ritme, reformat integruese, për liberalizimin e vizave, procedurat mund të përmbyllen në mesin e vitit 2010. Presidenti i Hungarisë, Lazlo Soloimon, gjatë një prononcimi dhënë dje për mediat shqiptare pas takimit me Presidentin Bamir Topi, deklaroi se mbështet integrimin e vendeve të Ballkanit, por çdo gjë varet nga ecuria e përmbushjes së standardeve. Hungaria do të mbajë Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian në vitin 2011. “Nëse Shqipëria arrin të garantojë mjete të sigurta identifikimi dhe bën kontroll rigoroz të kufijve të saj, atëherë liberalizimi i vizave do të bëhet në fund të verës së ardhshme. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetjen tonë, në mënyrë që zyrtarët shqiptarë të specializohen në Hungari për sa i përket përgatitjes së kushteve teknike”, - theksoi z. Soloimon. Më tej Presidenti hungarez shtoi se në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, vendit tonë i nevojitet edhe një funksionim i jetës parlamentare. Në gjykimin e tij, në tërësi integrimi i Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane është shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon. Me këtë rast, Presidenti Topi shfrytëzoi rastin edhe një herë për të falënderuar Hungarinë për njohjen nga e ana e saj e pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›