Semani kalon nivelin kritik, përmbyten tokat bujqësore dhe zona naftëmbajtëse në Belinë

Lumi Seman ka kaluar pikën kritike të rrezikut, duke shkaktuar përmbytje të gjera në tokat bujqësore dhe zonën naftëmbajtëse në Belinë. Niveli i ujit në urën e Mbrostarit ka arritur në 4.5 metra, nga 3 metra që konsiderohet kufiri kritik.
Rritja e prurjeve vjen si pasojë e reshjeve të dendura përgjatë gjithë javës, si dhe shkarkimeve nga hidrocentrali i Banjës. Përmbytjet kanë prekur dhjetëra puse nafte në zonën e Belinës, ndërsa uji ka mbuluar gjithashtu sipërfaqe të mëdha tokash në Suk dhe Jagodinë të Roskovecit, si edhe në Belinë dhe Kallm të Fierit zonat e para të goditura nga situata.
Ekipet e Emergjencave Civile janë në terren dhe monitorojnë zhvillimin e situatës, ndërsa Bordi i Kullimit po punon për forcimin e argjinaturës së Semanit me hedhje dheu (argjile) në pikat e dobëta. Përmbytjet kanë përfshirë disa banesa, ekonomi bujqësore, sera dhe panele diellore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
/rtsh.al/