E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seminari për shqipen, rikthim pas dhunës serbe

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar më 1974, në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Masat e dhunshme serbe bën që seminari të pezullohej për disa vite. Ndërkohë, dy sesione të këtij seminari ishin mbajtur në Tiranë gjatë viteve 1995 dhe 1996

Seminari për shqipen, rikthim pas dhunës serbe

Rreth 150 pjesëmarrës do të jenë në edicionin e 27-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që do të mbahet këtë vit nga 18-29 gusht në Prishtinë ku përveç temave qendrore do të shënojë edhe 70-vjetorin e vdekjes së Migjenit dhe 130-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Dekani i Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë, Nuhi Rexhepi, tha për “Kosovapress” se janë kryer të gjitha përgatitjet për mbajtjen e seminarit të 27-të tradicional ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i cili përkon me 100-vjetorin e lindjes së studiuesit të njohur shqiptar Eqrem Çabejt. Ky seminar, i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare konsiderohet të jetë një projekt i rëndësishëm për linguistët shqiptarë.

Dekani Rexhepi ka thënë se këtë vit tema e seminarit do të jetë “Kosova dhe Letërsia Shqipe” dhe pritet të marrin pjesë mysafirë nga e gjithë bota.

“Seminari ka strukturën e vet të organizmit, ka kurse gjuhësh dhe nivelesh të ndryshme. Zakonisht i bëjmë tri nivele të kurseve të gjuhës shqipe, pastaj organizohen tryeza diskutimesh për probleme të ndryshme, ligjërata të ndryshme nga profesorët vendorë dhe ndërkombëtarë”, pohoi Rexhepi.

Dy pasdite me referime janë organizuar për 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit, në të cilin pritet të marrin pjesë gjuhëtarë dhe studiues të letërsisë, ndërkohë që historianë nga vendi dhe të huaj do të jenë të pranishëm me referatat kushtuar 130-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar më 1974, në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Masat e dhunshme serbe bën që seminari të pezullohej për disa vite. Ndërkohë, dy sesione të këtij seminari ishin mbajtur në Tiranë gjatë viteve 1995 dhe 1996.

Seminari organizohet nga Fakulteti i Filologjisë në Universitetin e Prishtinës në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Financiarisht mbështetet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›