E Diel, 1 Nëntor 2026

Saranda si një Samothrakë

Me Vasil Kaçin, Lefter Çekon dhe Spiro Shtukën më lidh një miqësi e hershme. Miqësi e lindur në po atë qytet ku u rritëm dhe fantazuam për artin, me ëndrrën se një ditë... ah një ditë... edhe ne do të flinim në prehrin e muzave, do të kuvendonim me to duke u pushtuar nga deliret që prodhon imagjinata frelëshuar e artit... Më lidh me këta tre piktorë nga minoriteti grek sigurisht edhe dashuria për qytetin tonë, grishja e të cilit na ka turbulluar, sado larg që jeta na ka hedhur tutje tij, sado afër që gjendemi përherë pranë tij (jo vetëm në verë). Saranda është një Samothrakë për këta piktorë, që në arratinë e jetës, paçka se sot në Athinë me familjet e tyre, marrin fluturim dhe pikojnë lot e mall nostalgjie për qytetin e tyre të Jugut. Mall dhe dashuri. Dhe poezi. Dhe ëndërrim. Por edhe shqetësim. Turbullim. Diçka që vjen nga thellësitë dhe brendësitë, për t’u bërë e tashme, e përditësuar, eterne, shpirt, art. Një njollë drite mbi ujë a blerim. Një frangofik mbirë mbi shkëmbinj. Një udhë pemësh të lulëzuara. Vajza shtatderdhura në stërkala deti. Varkëza mbi ujin e kaltër, në mjedise çlodhëse, ku paqja dhe mirëkuptimi bien mbi njerëzit e lodhur si një kumt ungjillor. Puthja e valëve me bregun e pjerrët e të thiktë: lirikë dhe epikë së toku. Njolla të verdha drite, të mëdha, si të rrumbullta, që përzihen me mugun dhe floreshencën. Një ezoterikë që pikon prej natës së dritëzuar të qytetit. Pemë në lulëzim, qyteti i larë tejet në bardhësi, paradigma e nusërisë. Dhe prapë barka që dremitin në tisin mëngjesor, dhe prapë goca të reja që shëtisin me ombrella të bardha. Dhe prapë... si për të rikrijuar historinë e moçme prej nga ky popull ka ardhur, ja kolonadat e qytetit antik të Butrintit: një krenari solemne, një qytetërim i ndritur, pjesa jonë sublime, shpirti i ardhur nga tej, falë transhendencës, në mendimin e çdokujt prej nesh.

Ja, për këto motive desha të shkruaj për piktorët Lefter Çeko, Vasil Kaçi e Spiro Shtuka. Për lirizmin e Lefterit kam shkruar edhe më parë. Ka një penelatë si të hapur; ai e mbush horizontin dhe perspektivën me dritë, luan me siluetin erotik të vajzave në plazh, me laryshinë e ngjyrave në agun e ditës së re, krijon një prehje e paqe me pamjet karakteristike të qytetit, të limanit, të detit. Lefteri vijon në traditën e vet si peizazhist liriko-poetik, veçse jo panoramist. Madje-madje peneli i tij më duket se është bërë më imazhinist duke hedhur në telajo mbresën e fortë të çastit, të atypëratyshme, si një pikë a njollë të madhe, sikundër vihet re tek një grup njerëzish, ndoshta pensionistë, që luajnë pranë një tavoline, rreth-grumbulluar. Dhe piktori të befason me këtë tablo-peizazh, me ngjyrën kafe dhe vijëzimet e bardha, ku edhe ndihet një rimodelim i stilit të tij.

Vasil Kaçi është një piktor që mëtonte qysh herët “largimin” nga klishetë piktoreske të kohës, rrekej ndonjëherë ta “tradhtonte” doktrinën e saj duke hedhur njolla, shpesh edhe të mëdha, gjithëpushtuese, në trajtën e një mbrese zotëruese ngjyrore. Mirëpo kjo “marri” e atëhershme (para viteve ’90) u fut nën zhguall, u zhyt thellë ndërdijes së tij si diçka rreziksjellëse, e kritikueshme, ndikim i huaj, izëm etj. Pasvitet ’90 e shpërfaqën sërish shpirtin kërkues të Vasilit dhe në peizazhet e tij, paçka se më ndryshe, njolla e madhe rishtazi zë bashin e impresioneve piktorike. Pos kësaj, ngjan se në trajtimin e ngjyrës, sidomos të penelatës, ai synon jo “gricjen” dhe “ashpërsimin”, por limimin, qartësinë e kontureve, impresionin ngjyror. Përshfaqet kjo cilësi tek “Kisha” me të kuqen zotëruese, tek Limani, tek plazhi i Pllakave, ku ngjyrat pranëvihen: kafja, roza, bluja. Qetësia dhe kthjelltësia herë-herë prishen dhe Vasili përpiqet të hedh në telajo të tjera mbresa, më të vrazhdta, me dramacitet, si tek një pemë e tharë plot gunga, ashtu si jeta, si njeriu në erozionin e egër të viteve; ose valë deti që tubojnë energji dhe duket sikur kreshpërohen përball bregut kokëfort, si hallet dhe fatkeqësitë e njeriut.

Punimet në akuarel të Spiro Shtukës nuk i kisha parë më herët. Aq shumë u befasova dhe u gëzova nga ecuria e tij e dukshme, mbresëlënëse. Ishte një djalosh i talentuar dikur ky Spiroja, por me “njollë” në biografi. Si kryetar i atëhershëm i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Sarandës, së bashku me shokët e tjerë, na duhej të ngulmonim jo pak në instancat partiake të miratimit për t’i dhënë atij të drejtën e ekspozimit të punimeve të tij. Por ujërat rrodhën dhe sot shquaj një hap të pamenduar më parë nga ana e Spiros. Ai luan kaq lirshëm me njollat, me nebulozat ngjyrore, me një flu që të ngopë, që s’e humbet impaktin vizual, përkundrazi të ngulitet në retinë dhe të mbetet aty. Shtuka e ridimensionon hapësirën, objektin. Ka shpështjellim, energji, shqetësim. Lëviz imazhi, mendimi, ndjenja. Ka vrull. Shumë vrull. Bash këtë ndjesi do desha ta zhvillonte e ta çonte më tutje. Dhe një tjetër cilësi e Shtukës: kontrastet e rrepta ngjyrore, të cilat, në punime të tjera, sado që të prera e të identifikuara, krijojnë një tërësi ngjyrore, një shkrirje që veçse syri i stërvitur piktorik di ta sajoj.

Të tre piktorët nga minoriteti grek: Çeko, Kaçi, Shtuka kanë hapur gjithsecili mbi dhjetë ekspozita vetjake në Shqipëri dhe qytete të ndryshme të Greqisë si Athinë, Selanikë, Patra, Korfuz, Kallamatë, Prevezë, Lefkade, Janinë etj. Por ata kanë çelur së bashku edhe ekspozita në vende të ndryshme të Evropës si Gjermani, SHBA, Qipro etj.

Çdo verë, miqtë e mi piktorë, ju vini në Sarandë dhe hapni ekspozitat tuaja. Një realitet i bukur. Ju do të ikni në Athinë, kur sezoni veror të mbarojë. Por sërish e sërish do të vini në qytetin tonë, Sarandën. Sepse, ju e dini shumë mirë, malli pikon ngaherë nostalgji. Dhe nostalgjitë tuaja do të kthehen në ngjyrë, në dritë, në bukuri, në shpirtbardhësi. U takofshim verën tjetër, në një tjetër ekspozitë, në qytetin tonë të bukur: Sarandën.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›