E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sëmundje moderne, ilaçe të vjetra

SHOQËRI & FILOZOFI

As Kanti, Marksi, Niçe, Frojdi, Sartri, Dostojevski, etj., nuk kanë mundur të bëjnë analiza social-filozofike, përshkrime letrare, që të jenë adekuate me natyrën e shoqërisë dhe njeriut të kohës sonë. Ajo që po përjetojmë aktualisht si shoqëri dhe individualisht, është përtej parashikimeve të tyre.

Liria është në natyrën e njeriut. Nëse në të kaluarën në shoqërinë tonë nuk kishim njeri, por “kufoma” politike të determinuara, kjo ishte për arsye se në socializëm, nuk ka liri. Pa liri nuk ka njeri të vërtetë, por hije të tij. Me këtë ide duhet të mësohet të adoptohet shoqëria jonë. Rruga e lirisë nuk është gjithnjë e lumtur për të gjithë. Padyshim, koha po tregon se për disa individë e shtresa sociale të shoqërisë sonë, liria është “rrugë e vuajtjes”. Por kjo është shoqëria e lirë, demokratike. Kjo është dialektika e shoqërisë moderne. Çdo njeri përpiqet që ta përshkruajë rrugën e tij deri në fund, duke qenë në sinkron me jetën dhe kërkesat e shoqërisë. Në jetën moderne nuk ka gjëra të sigurta e të garantuara. Çdo gjë është e “lëkundshme”. Në këto kushte, rruga për të ndikuar me mjete edukative tek njeriu po bëhet e ndërlikuar, e vështirë, sepse edhe natyra e njeriut është gjithnjë e më shumë e palexueshme, e lëkundur, e paqëndrueshme, dinamike. Nuk është e lehtë të kuptosh natyrën e njerëzve që kalojnë në kriza shpirtërore të natyrave të ndryshme. Shikoni sa njerëz janë në dallgët e pesimizmit,që jetojnë të paorientuar, në varfëri etj. Shikoni statistikat e divorceve, të zgjerimit të njerëzve vanitozë, që janë në prangat e skllavërisë së drogës, alkoolit dhe prostitucionit, që jetojnë në varfëri apo të vetmuar. Nuk është rastësi fakti, që në shoqërinë shqiptare janë shtuar frikshëm vetëvrasjet për motive të humbjes së ekuilibrit individual dhe të aftësisë së adoptimit social me parametrat e jetës moderne. Shoqëria moderne e tillë është: dikotomike, e diferencuar, e polarizuar, shoqëri e bollëkut dhe e varfërisë, e joshjes dhe e rrezikut...

Nuk mund të kemi sukses në punën sociale nëse nuk llogaritim këtë natyrë të ndërlikuar të shoqërisë dhe njerëzve tanë. Njeriut modern nuk mund t’i afrohesh me parimet e “punës drejtvizore” edukative, me sloganet e humanizmit fals. Ato jo vetëm që kanë dështuar, por ndikojnë negativisht dhe përkeqësojnë gjendjen shpirtërore të njeriut, të dëshpëruar nga realiteti social dhe personal. Familja, prindërit, shkolla, mësuesit, edukatorët, klerikët e feve të ndryshme që veprojnë në vendin tone, duhet të kuptojnë realitetin e vërtetë të shoqërisë dhe natyrën e ndërlikuar të njeriut. Jetojmë në një shoqëri të re me njerëz me “shpirt të ndryshuar”.

Jeta e njerëzve tanë është e mbushur me siguri dhe dyshime, me rreziqe të natyrshme dhe hapësira të reja zhvillimi. Jetojmë në një epokë të re, dhe duhet së pari të kuptojmë “shpirtin e saj”, dhe të përshtatemi me të. Nuk kemi ç’bëjmë, duhet t’i përgjigjemi nivelit të zhvillimit dhe pjekurisë shpirtërore të shoqërisë, shpirtit të ndërlikuar të njeriut të shoqërisë tonë. Natyrisht në çdo kohë në shoqërinë shqiptare, ka patur konceptin dhe praktikën e vet, për të mirën dhe të keqen. Por tani është kohë tjetër dhe njeriu, shoqëria dhe strukturat e edukimit duhet të kuptojnë se cila është e mira dhe e keqja e kohës sonë, e cila natyrisht është e ndryshme nga ajo e shoqërive që kanë kaluar. Këtë duhet të kuptojmë, që të kemi sukses në punën me njeriun. Një gjë është e sigurt. E mira dhe e keqja në shoqërinë tonë të së kaluarës kanë qenë më të “thjeshta”, më të “kuptueshme” se ato me të cilat po përballemi në ditët tona. Ajo që duhet të kuptojmë të gjithë, si prindër, edukatorë, bashkë me strukturat dhe institucionet e edukimit është se shoqëria shqiptare është bërë moderne, dhe në këtë kontekst sëmundjet e saj nuk mund më të shërohen me “ilaçe” të vjetra…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›