E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sëmundjet profesionale Refuzohet kërkesa për hapjen e klinikës në QSUT

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Klinika e sëmundjeve profesionale e cila u mbyll në vitin 2005 me një urdhër të Drejtorisë së Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, nuk do të rihapet. Nëndrejtori i QSUT-së, Mehmet Hoxha, ka deklaruar se në strukturën e re të spitalit të ri që pritet të hapet në muajin mars, nuk është planifikuar hapja e klinikës. Kjo deklaratë heq shpresat e sindikalistëve të cilët shprehën dy ditë më parë shqetësimin e tyre për mungesën e trajtimit mjekësor të punonjësve që punojnë në profesione të vështira. “Nuk kemi asnjë vendim paraprakisht për rihapjen e klinikës. Mendojmë se hospitalizimi nuk është e vetmja zgjidhje për trajtimin mjekësor të pacientëve që preken nga sëmundjet profesionale. Ne kemi menduar që trajtimi i tyre të kryhet në pavijonet specifike si mjekësia interne, pavijoni i Pneumologjisë, të cilat i kanë të gjitha kushtet për trajtimin e kësaj kategorie pacientësh”,- u shpreh nëndrejtori i QSUT-së. Hoxha ka garantuar sindikatën se nuk do të mungojë kujdesi shëndetësor ndaj punonjësve të rrezikuar nga sëmundjet profesionale. “Nga çfarë kemi dëgjuar prej sindikatës, dimë se ata nuk kërkojnë hapjen e shërbimit me shtretër por trajtimin mjekësor të punonjësve, dhe ne i garantojmë se do të fuqizojmë shërbimin e konsultës, laboratorët për kryerjen e analizave si dhe do të monitorojmë pacientët që vuajnë prej vitesh nga sëmundjet profesionale”, shprehen drejtuesit e QSUT-së. Hoxha thekson se profilizimi i mjekut të familjes si mjek interno, i cili gjatë katër viteve të studimit në fakultet merr njohuri të përgjithshme, është një garanci për evidentimin e pacientëve me sëmundje profesionale. Sipas të dhënave të specialistëve, numri i punonjësve që rrezikohen nga sëmundjet profesionale ka ardhur në rënie pas viteve 90-të.
Ky lajm është publikuar: 17/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›