E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatos Harizaj “Studentët do të pyeten me komision, për të shmangur ryshfetin”

Autori i Lajmit: Redaksia

Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatos Harizaj shprehet se për të shmangur fenomenin e ryshfetit studentët nuk do të pyeten më nga një pedagog i vetëm, por do të jetë prezent një komision i posaçëm. Rektori i Universitetit Buqësor të Tiranës, Fatos Harizaj tha se rektorati nga ana e tij është duke marrë disa masa. Një ndër to është edhe marrja në provim e studentëve me gojë në praninë e studentëve të tjerë dhe nga një komision pedagogësh profesionistë. Sipas Rektorit të këtij universiteti edhe pse fenomeni i korrupsionit ekziston edhe në këtë universitet të gjithë duhet të bëjnë punën e tyre për parandalimin e tij si shteti, rektorati, pedagogët dhe vetë studentët. Masat nga rektori Harizaj vijnë pas ngjarjes së rëndë që dëmtoi imazhin e Universitetit të Kamzës, ku dy pedagogë u akuzuan se merrnin para kundrejt notës, kryesisht për ngelësit. Madje, shifra që ata kërkonin ishte 25 mijë lekë. Policia e Tiranës nxori detaje për operacionin Provimi i suksesshëm, duke arrestuar dhe të tjerë të implikuar në këtë ngjarje të rëndë. Gykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, tri ditë pasi kishte caktuar masat e sigurisë në mungesë me "arrest shtëpie" ndaj dy pedagogëve dhe "arrest me burg" ndaj dy "sekserëve" të cilët dyshohet se përfitonin të mira materiale në këmbim të kalimit në provimet universitare, gjyqtarja Fatmira Hajdari vendosi ndryshimin e këtyre vendimeve, në masa më të lehta sigurie. Ky ndryshim është argumentuar me faktin se "nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore". Ata janë lënë në detyrim paraqitjeje.

Ky lajm është publikuar: 17/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›