E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e gjuhëve të huaja, kritere të veçanta pranimi

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në Tiranë kërkon për të tretin vit radhazi që kandidatët, të cilët do të shpallen fitues në një nga degët e këtij fakulteti, ti nënshtroheshin më pas një testi special. Vetëm ata që do të kalojnë këtë test do të klasifikoheshin si fitues. Po e njëjta procedurë është kërkuar të praktikohej edhe dy vite më parë. Arsyeja mbetet po e njëjta ndonëse në shifra më alarmante. Këtë vit gati 80 % e studentëve të gjuhëve të huaja rezultojnë mbetës, kjo sidomos për gjuhët turqisht, greqisht, gjermanisht apo rusisht. Rezultate disi më të pranueshme duket se ka vetëm dega e anglishtes dhe italishtja. Sipas drejtuesve të këtij fakulteti, është më se e domosdoshme vendosja e kritereve të reja të pranimit për në universitet dhe zgjidhja e situatës për ata studentë që kanë hyrë tashmë në fakultet, për të mos humbur ato vite studimi që kanë kryer. Për këta të fundit (studentët mbetës) është propozuar nënshtrimi i një kursi njëvjeçar i studentëve mbetës për çdo gjuhë të huaj. Ndërsa ata që do të hyjnë për herë të parë duhet ti nënshtrohen një testi special krahas provimeve të Maturës ku të shihen qartë njohuritë e tyre për gjuhën në të cilën dëshirojnë të ndjekin studimet e larta. Pedagogët shprehen se kjo mangësi vjen pasi një pjesë e mirë e këtyre studentëve nuk kanë bërë gjuhë tjetër të huaj në gjimnaz veç anglishtes, frëngjishtes apo italishtes, në degët e tjera njohuritë janë zero dhe regjistrohen sa për të mos mbetur pa fakultet. Një vit më parë propozimi i bërë nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, nuk është mirëpritur nga MASH apo institucionet e tjera që merren me testimin e maturantëve si AVA apo APRIAL. Përgjigjja e tyre ka qenë e tillë që fakultetet i kanë në dorë të gjitha mjetet për të seleksionuar ata që nuk e meritojnë të kalojnë. Nëse nuk kanë nivelin e duhur të njohurive, askush nuk i pengon që ti ngelin. Përballë kësaj situate Dekanati ka kërkuar testim të veçantë, mbi njohuritë për gjuhën e huaj. Sipas tyre, niveli i studentëve të pranuar në vitin e parë lë shumë për të dëshiruar. E thënë me shifra, nga vetë dekanati i Gjuhëve të Huaja, 80 për qind e studentëve që ulen për herë të parë në auditorët e këtij fakulteti, nuk arrijnë të kalojnë stadin e vitit të parë. Më keq akoma, studentët nuk kanë dëshirë të ndjekin leksionet. Ky fakt është pohuar herë pas here edhe nga vetë pedagogët. Kësisoj Dekanati i Gjuhëve të Huaja, i kërkon MASH-it që, krahas sistemit Meritë-Preferencë, përzgjedhja e studentëve në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të bëhet edhe nëpërmjet testit të infiltrimit. Testi, përgatitja e të cilit do të formulohet nga vetë fakulteti ose në rast të kundërt nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, do të jetë i nevojshëm vetëm për ata kandidatë, të cilët arrijnë të fitojnë paraprakisht të drejtën e studimit në një nga degët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.

Hiqet taksa për studentët përsëritës

Studentët, të cilët kanë detyrime të prapambetura me universitetin, si dhënia e disa provimeve apo mbrojtja e temës së diplomës, nuk janë të detyruar ta paguajnë tarifën e shkollimit në fakultetin në të cilin kanë nisur studimet. Vendimi është marrë këto ditë nga dekanatet e fakulteteve përkatëse. Më parë studentët ishin të detyruar ti nënshtroheshin tarifës vjetore të shkollimit pavarësisht se kishin një apo dy provime të mbartura nga vitet e kaluara. Modeli i universiteteve të huaja është i tillë që studenti paguan tarifën e llogaritur në bazë kreditesh, pra nëse studenti ka për të dhënë dy ose tre provime paguan vetëm për ato lëndë dhe nuk i nënshtrohet një tarife të plotë vjetore (për përsëritje të vitit).Vendimi për heqjen e tarifës në universitetet shqiptare është marrë për të mos rënduar ekonomikisht studentët të cilët rezultojnë mbetës dhe detyrohen të paguajnë tarifën e shkollës sa herë që rezultojnë mbetës.

Ky lajm është publikuar: 17/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›